Qetë në veri

Situata e sigurisë në veri të Kosovës, një ditë pas fillimit të zbatimit të planit operacional për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare me Serbinë, vlerësohet relativisht të qetë.
Zyrtarët e KFOR-it thonë se shumë nga rrugët që çojnë në drejtim të vendkalimeve kufitare me Serbinë, mbesin të bllokuara. Zëdhënësi i KFOR-it, Ralf Adamec, shpjegon më shumë:
“Për momentin, situata në veri është relativisht e qetë. Të gjithë demonstruesit në bllokada rrugore janë të qetë. Pikat kufitare 1 dhe 31 janë të mbyllura, sepse nuk ka mundësi të kalohen për shkak të bllokadave rrugore. Neve na vjen mirë të shohim se çfarë po ndodh me Policinë e Kosovës, veçanërisht në veri. Ajo po bën një punë të madhe, në mënyrë që ne të mund të monitorojmë tërë skenën. Andaj, nuk kemi nevojë të ndërhyjmë për momentin”.
Edhe Policia e Kosovës, situatën në veri e vlerëson si të qetë. Zëdhënësi Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se një gjendje e tillë mbizotëron edhe në vendkalimet kufitare 1 dhe 31.
“I referohem së pari situatës së sigurisë, e cila mbetet e qetë, pa incidente që nga orët e mesnatës. I kemi përcjellë së bashku zhvillimet e fundit gjatë natës së mbrëmshme, kur, në afërsi të urës, kishim përforcimin e barrikadës me zhavorr, por kjo situatë nuk ka zgjatur shumë. Situata është qetësuar pas intervenimit të policisë, bashkërisht me forcat e EULEX-it dhe të KFOR-it”, deklaron Hoti.
Sipas tij, aktualisht nuk ka qytetarë të tubuar në anën veriore të lumit Ibër, por, megjithatë, shton Hoti, mund të priten tubime dhe reagime nga serbët lokalë.
Ai nuk do të komentojë shumë nëse pritet ndonjë intervenim për zhbllokimin e rrugëve. Hoti thekson se prioritet mbetet ruajtja e rendit dhe e qetësisë.
“Plani i zhbllokimit të rrugëve nuk do të jetë një plan vetjak i Policisë së Kosovës. Në këtë situatë jemi duke vepruar bashkërisht me EULEX-in dhe KRFOR-in, por aktualisht prioritet është qetësia”, thotë Hoti, për të shtuar se nuk ka rrugë të tjera të bllokuara, përveç atyre që kanë qenë deri më tash.
Në zhbllokimin e tyre nuk do të intervenohet tani për tani, thotë zëdhënësi i KFOR-it, Adamec, ndonëse një gjë e tillë i lejohet misionit paqeruajtës.
“Meqë demonstruesit janë shumë të qetë - natyrisht se e kemi të drejtën në kuadër të mandatit tonë për t’i hapur rrugët - nuk do të jemi tepër agresivë tani. Demonstruesit janë më të vërtetë paqësorë dhe ne po përpiqemi të krijojmë hapësirë për negociata. Kjo natyrisht se duhet të zhvillohet nga pala politike. Pra, meqë tani demonstratat janë aq paqësorë, nuk mendoj se do t’i largojmë bllokadat rrugore”, thotë ai.
Bllokimi i rrugëve thuhet të jetë nxitur nga zbatimi i planit të ekzekutivit kosovar për vendosjen e doganierëve dhe policëve të Kosovës dhe të EULEX-it në vendkalimet kufitare 1 dhe 31. (REL)