Britania mbështet integritetin territorial të Kosovës

Ambasadori britanik në Kosovë, Jan Cameron Cliff, ka thënë se Britania e Madhe mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, ndërsa vendosjen e doganave në dy pikat kufitare 1 dhe 31 e ka quajtur të rëndësishme për parandalimin e kontrabandës në veri.
Ai këto komente i bëri të shtunën në Graçanicë, me rastin e dorëzimit të
të pajisjeve për përkthim simultan i cili është pjesë e projektit të përbashkët përmes të cilit Ministria për Administrim të Pushtetit Lokal dhe Ambasada britanik në Kosovë kanë ndihmuar komunitetet në 25 komuna të vendit.
Duke shprehur kënaqësinë për dorëzimin e këtij donacioni për komunën e Graçanicës, ambasadori britanik ka thënë se pajisja është e dobishme për bashkëpunimin në mes të komuniteteve në Graçanicë
“Qeveria britanike ka pasur programin për sigurimin e pajisjeve për përkthim simultan në komuna të ndryshme në Kosovë, ashtu që shqiptarët, serbët, turqit, romët të mund të flasin dhe të kuptohen në gjuhët e tyre, dhe është shumë e dobishme kur anëtarë të komuniteti ndërkombëtar sikur unë janë aty dhe gjërat duhet përkthyer”, ka thënë ambasadori Cliff.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petrovic.
I pyetur nga mediat lidhur me gjendjen në veri ku serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së doganierëve dhe policëve kufitarë në veri, ambasadori britanik ka thënë se vendosja e doganave në Bërnjak dhe Jarinje nuk është e drejtuar kundër askujt, por ajo është bërë me qëllim të ndalimit të kontrabandës.
“Ne mbështesim integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, dhe kjo përfshin edhe veriun. Sipas rezolutës 1244 të KS, e gjithë Kosova është një zonë e vetme doganore. Vendosja e doganave duhet të bëhet në pikat në veri ashtu sikur kanë qenë edhe më parë, për të luftuar kontrabandën dhe nuk është i drejtuar kundër njerëzve të zakonshëm nga veriu i Kosovës”, ka thënë ambasadori britanik.
Ai e ka quajtur Graçanicën si shembull të mirë se si mund të zhvillohen marrëdhëniet në Kosovë, për të punuar së bashku për interesin e përbashkët të njerëzve, duke shprehur keqardhje që ky mesazh nuk është duke u përçuar në komunat me shumicë serbe në veri.
Nga ana e tij, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petrovic është shprehur i rezervuar sa i përket gjendjes në veri, duke thënë se pret që atje gjendja të qetësohet, ndërsa ka kërkuar që të gjitha palët t’iu shmangen deklaratave që mund të nxisin tensionet.
“Besoj që situata në veri do të qetësohet dhe është me rëndësi që në jug kjo të mos reflektohet. Pres që qytetarët tanë në Kosovë të jenë të vetëdijshëm dhe seriozë, dhe sigurisht se çdo deklaratë që do të shkaktojë rritje tensionesh do të jetë tepër e dëmshme. Besoj në sukses, pres që bashkësia ndërkombëtar do të kontribuoj në këtë dhe pres që të gjithë”, ka thënë Petrovic.
Ndryshe, serbët dje kanë bllokuar të gjitha rrugët në veri, duke dashur të mos lejojnë vendosjen e policëve dhe doganierëve në Kosovës në pikat 1 dhe 31 në veri. Dërgimi i policëve dhe doganierëve është bërë me helikopterë të KFOR-it, ndërkohë që serbët vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët me barrikada.