Fiona Mcllwham:Të gatshëm t’ju mbështesim gjatë zgjedhjeve

"Jemi në dijeni të sfidave me të cilat jeni ballafaquar dhe si partnerë, duam të jemi pranë jush e t`ju mbështesim." Kështu ka deklaruar sot Ambasadorja Britanike Fiona Mcllwham gjatë një takimi të mbajtur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Në qendër të bisedës së zhvilluar, ishte roli i rëndësishëm që ka policia e shtetit për të garantuar rendin e qetësinë publike gjatë të gjithë proçesit zgjedhor, si dhe për të siguruar që dita e votimit të jetë e qetë.
Ndërkohë Ambasadorja Britanike në Shqipëri, Fiona Mcllwham, duke vlerësuar masat e marra dhe punën e policisë së shtetit deri në këtë fazë të procesit zgjedhor, theksoi:
"Nga ajo që kemi konstatuar, duket që ka pasur incidente të vogla dhe e rëndësishme është që policia ka luajtur rolin e saj pozitiv për zgjidhjen e situatës. Është një gjë e mirë që policia bën punën dhe e prezanton veten si një shërbim në mbrojtje të interesave të publikut.
Gjëja më e rëndësishme është krijimi i një mjedisi të qetë që qytetarët të votojnë të qetë dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë partitë politike, që të krijojnë një klimë të qetë.
Besoj që policia e shtetit do të ketë një rol pozitiv gjatë gjithë procesit" tha me tej ajo.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë bëri një rezyme të punës së kryer në funksion të përmbushjes me sukses të misionit të policisë së shtetit në sigurimin e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë, dhe pas procesit zgjedhor.
"Që në fillim të muajit prill ka përfunduar njohja e të gjithë strukturave të policisë me aktet ligjore që normojnë punën e policisë së shtetit në këtë proces zgjedhor. Ndërkohë, një punë shumë e mirë është bërë dhe për trajnimin e gjithë efektivave të policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore, nga drejtuesit e lartë deri tek punonjësit e nivelit zbatues. Ky trajnim u krye përmes një procesi zinxhir, i cili filloi me trajnimin e trajnerëve, të cilët më pas realizuan trajnimin e gjithë punonjësve të policisë në të gjithë vendin, me mbështetjen e OSBE-së, KQZ-së, Prokurorisë dhe Misionit PAMECA III. Po ashtu në bashkëpunim me OSBE-në u mundësua realizimi i rreth 7000 broshurave me detyrat e policisë në procesin zgjedhor, të cilat i janë shpërndarë çdo punonjësi policie të angazhuar me detyra zgjedhore. Janë hartuar gjithashtu listat për KQZ-në për të gjithë punonjësit e policisë që do të angazhohen për ruajtjen e qendrave të votimit, për të cilët janë përgatitur dhe dokumentet e identifikimit sipas akteve ligjore." vuri në dukje Burgaj.
Të gjitha këto masa paraprake, theksoi Burgaj dhe takimet e zhvilluara në qendër dhe qarqe, kanë synuar në transmetimin tek çdo punonjës i policisë të mesazhit që "standardet e policisë në procesin zgjedhor duhet të jenë më të larta", si dhe për të garantuar publikun që policia e shtetit do të jetë e paanshme dhe të gjitha veprimet e saj do jenë në respekt të plotë të ligjit.
"Fakti që deri në këto momente nuk ka pasur asnjë denoncim, qoftë dhe për një punonjës policie për shkelje të rregullave për sa i përket procesit zgjedhor, është treguesi më domethënës për rolin mjaft të rëndësishëm të masave të marra, në ruajtjen e pozicionit ligjor të punonjësve të policisë" evidentoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.