Tahiri: Fusnotën do ta shkrijë ngrohja globale
Ajo këto komente i bëri pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministren për Integrim Evropian të Republikës së Maqedonisë, Teuta Arifi, ku kanë vlerësuar se Republika e Kosovës dhe e Maqedonisë kanë bërë hapa përparimtar drejt integrimeve Euro-Atlantike.
Kryenegociatorja Tahiri ka informuar zëvendëskryeministren Arifi për dialogun e zhvilluar dhe për arritjen e marrëveshjes për përfaqësim, që sipas saj, Kosova tash e tutje do të përfaqësohet vet.
Tahiri e pyetur nga mediat se a e ka njoftuar Arifin se dialogu nga ndërmjetësi i BE-së, Robet Cooper është vlerësuar si dialog politik, ajo ka thënë se duke pas parasysh njohuritë e thella që ka zëvendëskryeministrja Arifi në proceset politike, nuk e ka parë të nevojshme.
Ndërkohë e pyetur rreth kritikave të kryekuvendarit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe opozitës, Tahiri nuk ka dashur të komentoj, duke thënë se qëndrimin zyrtar i ekzekutivit të vendit është dhënë dje.
“Besoj se dje keni pas rast të dëgjoni apo përcjellni qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës ai është qëndrim zyrtar”, ka thënë Tahiri.
Pas arritjes së marrëveshje për përfaqësim rajonal, kryenegociatorja Tahiri kishte deklaruar se fluskat e borës do të shkrihen me fillimin e pranverës. Ndërsa ka dhënë një deklaratë tjetër duke thënë se fluskat do t’i shkrijë edhe ngrohja globale.
“Dua të ritheksoj se Kosova dhe populli shqiptar kanë kaluar dimra shumë më mëdhenj të shtypjes dhe gjenocidit serb. Këto janë tash dimra të vegjël, e dyta ngrohja globale ka me shkrirë më shpejt”, ka theksuar ajo.
Ndërmjetësi i BE-së, Cooper ka deklaruar se fusnota nuk është e obligueshme, por sipas Tahirit, Qeveria e Kosovës e ka interpretuar saktë këtë marrëveshje, ndërsa pala serbe vazhdon të interpretoj ndryshe.
“Marrëveshja për bashkëpunimet rajonale është botuar zyrtarisht qoftë nga BE-ja, qoftë nga Republika e Kosovës dhe ju keni pasur rastin të shihni dhe të lexoni. Ne e kemi interpretuar saktë marrëveshjen, prandaj po marrim pjesë në takimet rajonale. Se kemi raste kur Serbia nuk e interpreton drejt dhe i braktis këto takime, ky është problem i Serbisë. Zotëri Cooper ka bërë të ditur se fton organizatorët e takimeve rajonale që ta lexojnë dhe ta interpretojnë drejt këtë marrëveshje”, ka theksuar Tahiri.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja për Integrime Evropiane të Republikës së Maqedonisë, Teuta Arifi ka thënë se Qeveria e Maqedonisë ka mbështetur këtë dialog, duke e vlerësuar si të rëndësishëm.
“Ne si qeveri kemi përshëndetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim këtë proces dialogimi, i cili i jep mundësi përfaqësimit të Kosovës në iniciativat të ndryshme ndërkombëtare, duke pasur parasysh faktin që këto njëzet vjet të kaluara edhe ne si shtet është dashur që të bëjmë zgjidhje që shpeshherë, jo gjithmonë kanë qenë të lehta. Por i kemi dhënë përparësi prezencës tonë apo pranisë tonë në organizatat vendimmarrjes ndërkombëtare”, ka thënë Arifi.
Të dy zyrtaret kanë vlerësuar se edhe Kosova edhe Maqedonia kanë bërë hapa të mëdhenj drejt integrimeve euro-atlantike.
Zëvendëskryeministrja Arifi është pritur në një takim edhe nga kryetari i Kuvendi të Kosovës, Jakup Krasniqi. /Kosovapress/