Tahiri: Jo më në tryezë me Serbinë pa u zbatuar marrëveshjet

Edita Tahiri
Kryenegociatorja e palës kosovare në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka refuzuar të ulet sërish në tryezë me palën serbe, nëse zyrtarët e Beogradit nuk zbatojnë fillimisht marrëveshjet e arritura deri tani. Në marrëveshjet e fundit vetëm pala kosovare ka qenë korrekte me kërkesat e Brukselit, ndërsa serbët gjithnjë i kanë shtyrë dhe anuluar ato. Tahiri, në një prononcim për Europa e Lirë, theksoi se siç e ka thënë edhe vetë Kryeministri Thaçi, në këtë fazë jemi të fokusuar për zbatimin e marrëveshjeve. Kërkojmë një angazhim të vendosur të Bashkimit Europian, i cili është ndërmjetësues dhe garantues i këtij dialogu teknik, që ti bëjë presion Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve. Nuk mund të ketë bisedime për tema të tjera teknike pa u bërë zbatimi i marrëveshjeve, deklaroi kryenegociatorja kosovare. Kosova e ka shprehur disa herë zyrtarisht zhgënjimin e saj për moszbatimin e plotë të marrëveshjeve nga Serbia. Analist politikë në Kosovë fajësojnë tolerancat e shumta që qeveria kosovare i ka bërë Brukselit dhe kërkesave të BE-së për sa i përket Serbisë, duke mos marrë asgjë në shkëmbim. Përveç rritjes së kritikave për politikat europiane mes zyrtarëve kosovare, si Hashim Thaçi dhe kreu i opozitës Isa Mustafa, tashmë duket se të gjithë janë në një zë për të vendosur kushte.