Tahiri: Krimi ka mbërthyer vendin, ndërsa Berisha mburret me rekorde noti
Situata e rëndë e ditëve të fundit me vrasje dhe aksidente të shumta, ka vënë në alarm Partinë Socialiste, e cila përmes deputetit të saj Sajmir Tahiri, deklaroi se shteti është gjunjëzuar, ndërsa qytetarët vuajnë pasojat. Sipas tij, ngjarjet e ditëve të fundit janë fakt i gjallë i mungesës së sigurisë dhe për këtë ai bëri përgjegjës direkt Sali Berishën.
Vendi i është kthyer terrorit, krimit ordiner dhe bandave mafioze. Shteti është gjunjëzuar dhe ata që e vuajnë janë qytetarët, që sot janë më të pasigurt. Për gjithë masakrën e përditshme, për vjedhjet, aksidentet, plagosjet dhe vrasjet, ka vetëm një përgjegjës, kryeministri Sali Berisha. Përgjegjësitë e kryeministrit nisin që nga emërimet në pozicionet kyçe, dhe deri tek paaftësia për të siguruar standardet minimale për qytetarët shqiptarë. Qytetarët grabiten në mes të ditës, Sali Berisha flet për imunitetin. Rrugët lahen me gjak, ndërkohë që Berisha mban rekorde noti. Shqipëria digjet dhe Berisha krihet- tha Tahiri.
Deputeti i PS-së Tahiri theksoi se nuk mund të ketë luftë kundër krimit sa kohë që i pari i vendit emëron në pozicionet kyce të institucioneve të pavaruara militantë partiakë, duke sjellë në vëmendje emërimet e fundit në KLD dhe SHISH.
Deputeti Tahiri siguroi qytetarët se PS me ardhjen në pushtet do t`u kthejë qetësinë dhe do të garantojë sigurinë në vend.