Tahiri: Marrëveshjet të vështira, por me interes për Kosovën

Shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, në një konferencë për mediat, pasi është kthyer në Prishtinë, ka folur për marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë.
Tahiri tha se marrëveshjet për vulat doganore ishin të vështira, por me interes shtetëror. Sipas saj, marrëveshja për tregti të lirë pritet që të zbatohet deri me 10 shtator.
“Arritja e marrëveshjes ishte e rëndë, por në interes të plotë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, është shprehur Tahiri. Por, këto fjalë nuk e bindën Lëvizjen “Vetëvendosje”, aktivistë të të cilës, sulmuan eskortën e Tahirin me domate, sapo ajo doli nga salla ku mbajti konferencën me gazetarë.
Ditën e djeshme, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, në këtë raund të dialogut teknik ka arritur dy marrëveshje, atë për njohjen reciproke të vulave të doganave mes dy shteteve dhe marrëveshjen për kthimin e dokumenteve kadastrale.