E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapja e kutive, bllokohen rrugët nacionale

Mbështetës të PS-së, deputetë dhe drejtues të pushtetit lokal kanë protestuar dje në forma të ndryshme në gjithë vendin


TIRANË - Kërkesa për hapjen e kutive të votimit ka marrë përmasa kombëtare tashmë. Thuajse në të gjithë vendin, nga Veriu në Jug çdo ditë qytetarë, por edhe përkrahës dhe deputetë të PS-së, kanë protestuar, përmes bllokimit të akseve kryesore në vend, në emër të asaj që ata e cilësojnë transparencë për votën.


Korçë


Mbështetës të Partisë Socialiste, deputetë të zonës dhe drejtues të pushtetit lokal kanë zhvilluar dje një protestë paqësore me kërkesën për hapjen e kutive të zgjedhjeve dhe dhënien fund të krizës ekonomike. Protesta është zhvilluar në afërsi të fshatit Podgorie në aksin kombëtar Korçë-Pogradec, ku për afro 20 minuta është bllokuar rruga nacionale nga ky tubim.


Nën drejtimin e deputetëve Mimi Kodheli dhe Alfred Dalipi të paktën 150 simpatizantë dhe përfaqësues të opozitës kanë tubuar në rrugë në shenjë proteste, duke bllokuar përkohësisht aksin nacional që lidh Korçën me Pogradecin një nga arteriet kryesore të juglindjes. "Kjo nuk është protesta e vetme.


Një tjetër protestë me e madhe do të mbahet ditën e mërkurë kur të gjithë do të bllokojmë pa afat rrugën nacionale. Kjo është një protestë në emër të votës së lirë, për të ngritur zërin ndaj këtij rrënimi ekonomik e ndaj cenimit të votës së çdo qytetari", - u shpreh deputeti socialist, Alfred Dalipi.


Për faktin se zyrtarisht, sipas policisë, kishte një njoftim për protestën në fjalë, por jo për bllokimin e rrugës, pas një bllokimi për rreth 20 minuta dhe me negociata me policinë protestuesit kanë zgjedhur të ecin përgjatë aksin nacional për të lënë më pas të hapur një kalim për mjetet deri në shpërndarjen e tyre. Një tjetër protestë më e madhe do të mbahet ditën e mërkurë të javës që vjen kur të gjithë do të bllokojnë pa afat rrugën nacionale.


Protestuesit i janë bashkuar në shenjë solidariteti grevës së nisur nga deputetët socialistë dhe qytetarët. Protesta ka vijuar e qetë dhe pjesëmarrësit kanë vijuar një segment rrugor me këmbë me parulla në duar, duke mos penguar më tej qarkullimin rrugor.


Tepelenë


Në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje me grevistët e urisë dhe protestën e nisur qysh prej të premtes në kryeqytet, anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste të Tepelenës kanë bllokuar për 5 minuta aksin rrugor kombëtar Gjirokastër - Tepelenë.


Ashtu sikurse edhe ishte lajmëruar protesta është zhvilluar në orën 11:30 në sheshin "Ali Pashë Tepelena" në hyrje të qytetit. Në përfundim të tubimit një pjesë e pjesëmarrësve kanë tentuar të bllokojnë rrugën nacionale, ku për 5 minuta aksi rrugor Gjirokastër - Tepelenë ka funksionuar me një kalim.


"Me ndërhyrjen e policisë konform ligjit, gjithçka është normalizuar dhe tubimi ka përfunduar pa asnjë incident. Qarkullimi ka vijuar normalisht ndërsa pjesëmarrësit në tubim janë shpërndarë pa asnjë problem", - thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp të policisë për këtë ngjarje.


Socialistët kanë akuzuar qeverinë për largimet politike nga administrata, që në qytetin e Tepelenës shkojnë rreth 87 persona, si dhe për aksin rrugor Tepelenë - Fier, i cili, sipas tyre, duhej të ishte përfunduar qysh në mandatin e parë të kësaj qeverisjeje. I pranishëm në këtë protestë ishte edhe deputeti socialist për qarkun e Gjirokastrës, Et'hem Ruka.

***********************

Protestuesit kërkuan ndërhyrje nga të huajt: "Berisha po mban peng Vlorën"

Vlorë, protestuesit- ambasadorëve: Reagoni për grevën

VLORË - Qindra banorë të fshatrave të Lumit të Vlorës e të komunave kanë bllokuar ditën e djeshme për rreth një orë urën e lumit Shushicë që lidh qytetin e Vlorës me fshatrat e Lumit të Vlorës. Në këtë protestë morën pjesë shumë qytetarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste, ku ishte i pranishëm dhe deputeti i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi.


Fjalën e hapjes e mbajti sekretari organizativ i PS-së, Kujtim Sulçe, i cili akuzoi qeverinë Berisha se po mban peng Vlorën, vlonjatët e tërë Shqipërinë me mos'hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndër të tjera, Sulçe u bëri apel gjithë ambasadorëve të vendeve të akredituara në Tiranë që të marrin masa të menjëhershme për të zgjidhur krizën që ka pllakosur vendin.


Sulçe është shprehur se ambasadorët duhet të mbështesin opozitën që është në grevë urie dhe qytetarët shqiptarë që janë në skamje të madhe, ashtu siç po japin mbështetje për homoseksualët. Gjithashtu, banorët e komunave Vllahinë, Shushicë, komuna Qendër etj., kanë ngritur zërin për situatën politike dhe jetike në vend.


Ata kanë treguar lidhur me mënyrat se si partia në pushtet po i heq nga puna pa asnjë motivacion me faktin e vetëm se kanë qenë komisionerë a simpatizantë të Partisë Socialiste.


Sipas tyre, në Bashkinë e Selenicës rreth 60% e banorëve janë të papunë pasi u pushuan se ishin të majtë, gjithashtu në komunën Vllahinë rreth 40 % e të papunëve janë hequr nga ndërmarrja e naftës Gorisht, pasi ishin simpatizantë të majtë.


Banorët e Lumit të Vlorës e fshatrave të tyre janë shprehur në unison në mbështetje të grevistëve dhe kryetarit Rama por mbi të gjitha në mbështetje të deputetit e kreut të PS-së Vlorë, Eltar Deda. Deputeti Fatmir Toçi ka deklaruar se Partia Socialiste "sot më shumë se kurrë është e bashkuar dhe kërkon mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›