E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: “Prokuroria të veprojë për Bashën, Olldashin e Mediun”



Partia Socialiste i ka kërkuar dje Prokurorisë së Përgjithshme që të mos arkivojë dosjet e tre ministrave demokratë. Nëpërmjet deputetit njëkohësisht dhe zëdhënësit Saimir Tahiri, selia rozë ka kërkuar vazhdimin e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës, e cila, sipas tyre, shembet çdo ditë. Për këtë qëllim socialistët kërkojmë heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, por edhe të ministrit aktual të Transporteve, Sokol Olldashi, për vazhdimin e korrupsionit në këtë rrugë, ashtu si dhe paraardhësi i tij. Socialistët i rikthehen edhe njëherë tragjedisë së Gërdecit duke i kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të kërkojë heqjen e menjëhershme të imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Mjedisit.
Deklarata
Pas vizitës që deputetët e PS-së bënë në tunelin e Kalimashit, nga ku panë nga afër punimet që janë bërë, Tahiri u shpreh se qeveria duhet t’u tregojë shqiptarëve pse shembet çdo ditë ky tunel, ndërsa Prokuroria duhet të shkojë, sipas tij, të shikojë nga afër situatën dhe të marrë provat e korrupsionit. “Rruga e Kombit, falë babëzisë korruptive të Sali Berishës dhe shërbëtorëve të tij në qeveri, tashmë e konsideruar si korrupsioni patriotik i familjes së kryeministrit, ka degraduar në korrupsion masiv, duke u vjedhur xhepave të shqiptarëve më shumë se 250 milionë euro. Tuneli i Kalimashit është shembur dhe askush nga qeveria nuk merr guximin t’u shpjegojë shqiptarëve të vërtetën e kësaj shembjeje. Mos vallë qeveria këmbënguli për të hapur doemos tunelin përpara fushatës elektorale duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve? Sa është kostoja financiare që do të shtohet për shkak të kësaj shembjeje? Cilët janë përgjegjësit? Lulzim Basha duhet të ishte përpara Drejtësisë për vjedhjen e miliona eurove të faktuara në investimin e kësaj rruge, ndërkohë që vazhdon të krekoset në karrigen e ministrit të Brendshëm. Po kështu, Sokol Olldashi meriton të vihet përpara përgjegjësisë ligjore njëlloj si kolegu i tij. Pas deputetëve të PS-së është radha e Prokurorisë të shkojë në tunelin e Thirrës, të mbledhë faktet, të hetojë ngjarjen e të nxjerrë para Drejtësisë përgjegjësit kryesorë”, - është shprehur Tahiri, ndërsa shtoi se “dosjet skandaloze të korrupsionit galopant të kësaj qeverie nuk mund të arkivohen në sirtarët e Prokurorisë”.
Në emër të PS-së Tahiri i bëri thirrje Prokurorisë që të rihapë menjëherë dosjen e rrugës Durrës-Kukës dhe atë të Gërdecit, si dhe të kërkojë heqjen e imunitetit të tre ministrave demokratë. “Partia Socialiste i bën thirrje Prokurorisë të rihapë menjëherë dosjen ‘Durrës-Kukës’, të kërkojë heqjen e imunitetit e të marrë para përgjegjësisë penale shtetasit Lulzim Basha e Sokol Olldashi për korrupsionin gjoja patriotik të kësaj rruge, si dhe të nisë hetimet e menjëhershme për shembjen e tunelit të Thirrës, duke nxjerrë përgjegjësitë përkatëse”, - është shprehur Tahiri. “Fatmir Mediu hodhi në erë një qytezë të tërë duke lënë pas 26 viktima të pafajshme e miliona euro dëm, e sot krekoset si ministër, megjithëse duhet të ishte përpara organeve të Drejtësisë. Sekseri serb, Damir Fazlliç, vjen në Shqipëri për të vjedhur paratë e shqiptarëve nga shtëpia e Sali Berishës dhe studioja ligjore e vajzës së tij, dhe sot vazhdon ende të vjedhë falë bekimit dhe mbrojtjes shtetërore të kujdestarit të tij kryeministër, ndërkohë që duhet të ishte para organeve të Drejtësisë. I bëjmë thirrje Prokurorisë të rikërkojë menjëherë heqjen e imunitetit për shtetasin Fatmir Mediu, për tragjedinë njerëzore e materiale të Gërdecit”, - është shprehur zëdhënësi i selisë rozë.

16 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›