E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Pse e thirra në zyrë Withers-in dhe Trojkën e BE-së



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zbardhur dje detajet e takimit me ambasadorin amerikan John Withers dhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian që punojnë në Shqipëri. Sipas Topallit, qëllimi i vizitës së tyre ishte diskutimi për reformën në Drejtësi. Ajo u shpreh se u ka kërkuar ambasadorëve ekspertizën e vendeve të tyre për të realizuar reformën në Drejtësi në vendin tonë. Por kjo reformë nuk mund të realizohet pa pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend, pasi ligjet që lidhen me këtë reformë kërkojnë domosdoshmërisht 84 vota, ndaj është i nevojshëm konsensusi i Partisë Socialiste. Megjithatë, kryetarja e Kuvendit, në deklaratën e shpejtë për mediat, nuk ka dhënë detaje se si do të zgjidhet kjo situatë. Ndërkaq, Topalli i bëri dhe njëherë thirrje opozitës të zërë vendet në Kuvend.
Deklarata
“Isha unë që i kisha ftuar ambasadorët për çështje që kanë lidhje me Drejtësinë dhe për mbështetjen që përmes ekspertizës ata mund të japin. Absolutisht dialogu është i nevojshëm. Dialogu dhe çdo kompromis bëhen në Parlament. Unë do të dëshiroja që me rastin e buxhetit, që është momenti themelor kur përcaktohet rritja e rrogave, rritja e pensioneve, investimet që do të bëhen, ulja e deficit buxhetor, ulja e shpenzimeve operative, është një rast për të ardhur në Parlament dhe për të kontribuar në atë që është momenti ekonomik, natyrisht edhe në të gjitha reformat e tjera”, - është shprehur Topalli.
Ambasadorët
Një ditë më parë, ambasadori amerikan, John Withers, pas takimit që zhvilloi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku merrte pjesë edhe Trojka e ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian, i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të dialogojë për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Gjatë fjalës së tij për mediat, Withers e ka cilësuar bojkotin e opozitës në dëm të proceseve integruese të vendit. Por diplomati amerikan ka theksuar se është i nevojshëm dialogu mes palëve për të arritur kompromisin dhe për të dalë nga kriza politike. “Patëm një takim shumë informativ dhe produktiv me kryeparlamentaren Topalli. Dua të sqaroj se pozicioni i qeverisë amerikane është që do të ishte për të mirën e Shqipërisë nëse dialogu mes aktorëve politikë të arrinte në një kompromis që do t’i jepte fund kësaj situate. Të gjithë e ndiejmë që mosqenia e opozitës në Parlament nuk është në të mirën e vendit. Do të na pëlqente ta shihnim këtë çështje të zgjidhur sepse është absolutisht e rëndësishme dhe një pikëpyetje për politikën shqiptare. Shpresojmë ta zgjidhin sa më parë dhe gjërat të vazhdojnë ashtu siç duhet”, - është shprehur Withers për gazetarët.
Qëndrimi i ambasadorit amerikan është në të njëjtën linjë me qëndrimin e komisionerit europian për Zhvillimin, Oli Ren, i cili pak ditë më parë, në një takim me ministrin e Jashtëm, Meta, u shpreh se “progresi drejt BE-së kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik në prioritete kyçe”. Të gjithë ndërkombëtarët bëjnë thirrje për dialog mes palëve dhe për gjetjen e kompromisit. Ata kanë theksuar se është vetë klasa politike shqiptare që duhet ta nxjerrë vendin nga kriza dhe se ndërkombëtarët nuk mund të ndikojnë në një situatë të tillë. Qëndrimi i diplomatëve vjen në një moment kur PS-ja po përgatitet për protestën finale për numërimin e votave që do të mbahet më 20 nëntor në kryeqytet. Ndërsa qeveria nuk ka parashtruar asnjë propozim konkret për të shqyrtuar kërkesat e opozitës. Përveç deklaratave publike, drejtuesit e maxhorancës nuk kanë organizuar gjatë kësaj kohe asnjë tryezë diskutimi në lidhje me kërkesat apo kushtet e PS-së për t’u kthyer në Kuvend. Madje, kreu i qeverisë, Berisha, nuk ka përcaktuar asnjë negociator për t’u lidhur me selinë rozë dhe për të shqyrtuar me seriozitet pretendimet e opozitës. Pavarësisht presionit të vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, situata vazhdon të mbetet e bllokuar, pasi asnjëra nga palët nuk ka paraqitur një opsion për të dalë nga kriza politike.

Sot zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë njësi vendore

Në pesë njësi të pushtetit vendor zhvillohen gjatë ditës së sotme zgjedhjet e pjesshme lokale për zgjedhjen e kryetarëve të njësive bashkiake apo të komunave, për shkak të dorëheqjen së të zgjedhurve të mëparshëm pasi kandiduan në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Zgjedhjet do të zhvillohen në Minibashkinë Nr. 10 në Tiranë, në Bashkinë e Klosit në Burrel, në komunën Otllak në Berat, në Bashkinë Fushë-Arrëz, në komunën Fierzë, zona në të cilat vendet e kryetarëve mbetën bosh pasi drejtuesit morën mandatin e deputetit në zgjedhjet e parlamentare të 28 qershorit. Sot pritet që 45 mijë zgjedhës të drejtohen në 65 qendra votimi për të votuar. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, ka bërë të ditur dje se puna më e madhe do të jetë në Njësinë Bashkiake Nr. 10 të Tiranës, ku do të ketë 26 qendra votimi. Sa u takon kandidatëve, Olli vë re se është hera e parë që ka kaq pak parti në konkurrim. “Janë vetë tri subjekte politike: Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar, e cila ka vetëm një kandidat në Otllak, në qarkun e Beratit”, - ka bërë të ditur Olli. Partia Socialiste pak kohë më parë mori vendimin për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje, si pjesë e bojkotit, pasi qeveria ende nuk ka bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Qeveria ka miratuar fondin prej 7.5 milionë lekësh që do të përdoret nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Imami takon në Pentagon sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, është pritur në Pentagon nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates. Gjatë këtij takimi janë biseduar një sërë çështjesh që lidhen me angazhimin e Shqipërisë në Afganistan në kuadër të NATO-s, me zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, demilitarizimin dhe asgjësimin e municioneve dhe shumë çështje të tjera. Sekretari Robert Gates ka falënderuar ministrin Imami për prezencën e Shqipërisë në Afganistan dhe për kontributin që po jep vendi ynë atje dhe në shumë vende të tjera ku jemi angazhuar. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, menjëherë pas takimit u shpreh për mediat se “Shqipëria është e angazhuar në Afganistan duke iu përgjigjur thirrjes së SHBA-ve dhe Aleancës. Ne jemi angazhuar përgjatë zgjedhjeve në Afganistan me një kompani, e cila do të qëndrojë atje. Po dërgojmë një skuadër mjekësore. Do të rritet numri edhe me disa oficerë, të cilët do të shkojnë me mision në Afganistan”, - është shprehur Imami. Gjatë bisedës me Gates, Imami ka garantuar rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcave tona. “Ajo që është më e rëndësishme është fakti që do të rritet kapaciteti operacional i Forcave tona të Armatosura. Kemi dy programe shumë të rëndësishme, njëri prej të cilëve me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, për të krijuar një grup trajnimi, i cili do të rrisë ndërveprueshmërinë e Forcave tona të Armatosura. Gjithashtu po punojmë për një program tjetër shumë të rëndësishëm. Një skuadër speciale e Forcave tona të Armatosura do të jetë e gatshme të dalë në terren së bashku me Forcat e Armatosura të SHBA-ve”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes. Përsa i përket angazhimit të Shqipërisë në vendet në konflikt, ministri Imami tha se sekretari Gates i është mirënjohës Shqipërisë për gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë globale. “Sekretari Gates na falënderoi për gatishmërinë që Shqipëria dëshmon për t’u angazhuar kudo që NATO-ja angazhohet për të garantuar lirinë dhe sigurinë globale. Pata falënderime të përzemërta për këtë politikë të Shqipërisë”, - tha ministri.

16 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›