Abuzimi në uzinën e Ferrokromit, nën hetim një italian i DARFO-s
ELBASAN - Gjykata e Elbasanit e quan të ligjshëm arrestimin e 4 personave të akuzuar për vjedhje gjatë ushtrimit të funksioneve në kompaninë italiane DARFO. Dje në Gjykatën e Elbasanit, gjyqtarja Miranda Çekrezi ka lënë në fuqi masën e kërkuar nga ana e prokurorit Bledar Mustafaj për arrestin pa afat të personave të implikuar në çështjen e hetuar prej rreth 2 vitesh. Fillimisht masa i është komunikuar Artur Belegut e më pas tre të akuzuarve të tjerë, Eduard Belegut, Tonin Gjonajt dhe Fatos Pengut. Prej gjykatës ata janë transferuar në burgun e Peqinit, ku do të qëndrojnë deri në fund të hetimeve për ta. Siç mësohet nga burime brenda sallës së procesit, seancat janë zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur asnjë debat në lidhje me kërkesën e prokurorisë apo vendimin e gjykatës. Ndërkohë, burime të gazetës kanë pohuar ditën e djeshme se në lidhje me abuzimin me vlerë 6.5 milionë euro, për të cilën akuzohen të arrestuarit, do të merren në pyetje dhe persona të tjerë, në të njëjtin status, atë të të pandehurit. Një prej tyre është shtetasi italian, Mario Apoloni, i cili akuzohet se bashkë me shqiptarët ka qenë pjesë e abuzimit dhe e përfitimit të shumës së konsiderueshme. Sipas Prokurorisë së Elbasani, shtetasi italian është person i dyshuar dhe shumë shpejt, drejt Italisë pritet të dërgohet një letër-porosi për marrjen në pyetje të tij. Një gjë e tillë do të ndodhë pasi të sigurohen gjenealitetet e plota të tij dhe adresa e saktë. Bashkëpunimi në këtë çështje është saktësuar nga hetimet e prokurorisë si dhe nga ana e arrestuarve, të cilët mësohet se në deklarimet e tyre kanë përfshirë dhe Apolonin, përfaqësues i kompanisë DARFO për palën italiane, e cila mori me koncesion uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Mësohet se gjatë seancës së djeshme, të pandehurit nuk kanë folur, duke pritur që avokatët e tyre të kërkojnë në ditët e ardhshme ndryshimin e masës së sigurisë. a.k