Peqin, pranga shefit të rrugores
PEQIN/ ALDO KOZARIA
Korrupsioni mbulon policinë e qarkut të Elbasanit. Pas arrestimit të rrugorëve të këtij qyteti, dje u vu në pranga shefi i Qarkullimit në komisariatin e Peqinit dhe një vartësi të tij. Arrestimi u krye dje nga oficerë të SHKB-së të ardhur nga Tirana, me akuzën e mitmarrjes. Ka qenë ora 11:00, kur dy inspektorët e SHKB-së kanë hyrë në ambientet ku po zhvillohej komisioni për automjetet e bllokuara.
Ata u kanë kërkuar qytetarëve që ndodheshin brenda që të dilnin jashtë dhe pasi komunikimit të akuzës vunë në pranga shefin e qarkullimit të Peqinit, komisar Pëllumb Kërçukun dhe nënoficerin Ruzhdi Juba. Më pas dy të ndaluarit në kushtet e flagrancës janë shoqëruar në ambientet e drejtorisë së policisë në Elbasan ku janë marrë në pyetje nga ana e dy inspektorëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Mësohet se të arrestuarit nuk kanë bërë komente në lidhje me akuzat. Menjëherë pas kësaj, atyre iu është marrë pistoleta, radiot si dhe uniformat e policisë të cilat i mbanin në momentin e arrestimit. Burime nga prokuroria e Elbasanit bënë të ditur se për shefin e qarkullimit, Kërçuku, kishin mbërritur 10 denoncime për mitmarrje. Ato ishin depozituar kohët e fundit nga ana e drejtuesve të mjeteve, të cilët ndaloheshin në mënyrë të padrejtë sipas tyre nga ana e vetë shefit të rrugores me qëllim ryshfetin. Të njëjtat burime shtuan se shefi i qarkullimit, në këmbim të dhënies së lejeve të drejtimit që ishin të bllokuara me vendim komisioni, iu kërkonte poseduesve të tyre shuma që varijonin nga 200 euro deri në 500 euro. Rasti i fundit i denoncimit ka qenë ai i një emigranti. Mbrëmjen së mërkurës, teksa udhëtonte në drejtim të Greqisë, ai është ndaluar nga ana e shefit të qarkullimit. Sipas denoncimit të emigrantit, pasi është mbajtur për afro 5 orë në rrugën nacionale Peqin-Elbasan, Kërçuku e ka lejuar atë të udhëtojë vetëm pasi i ka marrë 50 euro. Në fakt ky rast nuk është i dokumentuar pasi emigranti është larguar në drejtim të Greqisë për arsye shëndetësore. Kanë qenë familjarët e tij të cilët pasi janë njohur me arrestimin e shefit të rrugores në Peqin kanë shkuar në prokurorinë e Elbasanit për të depozituar kallëzimin në adresë të Kërçukut. Mësohet se ai është punonjës në Policinë e Shtetit prej disa vitesh. Sipas policisë, dy të arrestuarit do të merren sërish në pyetje në lidhje me akuzat e ngritura, ndërsa do të hetohet gjithë dokumentacioni që disponon komisioni i mjeteve të bllokuara. Kjo për shkak që të bëhet edhe ballafaqimi i këtyre dokumenteve me vetë denoncuesit. Arrestimi i djeshëm në ambientet e punës ka lënë të habitur edhe vetë qytetarët që u ndodhën në ato momente në ambientet e policisë.