E Shtunë, 31 Tetor 2026

I penduari u rikthye te "9 vrasjet"

 

Armand Bajrami

Për disa orë me radhë gjyqi ndaj personave të akuzuar si anëtarë të "Bandës së Durrësit" u zhvillua dje mes debatesh dhe replikash të shumta mes palëve. Avokatët kanë hedhur akuza në adresë të prokurorisë, duke pretenduar shkelje procedurale të kryera nga ky institucion në fazën hetimore të dosjes. Mbrojtësit ligjorë pretenduan se i penduari Adriatik Coli është dërguar në vendngjarjet e 9 prej episodeve kriminale të rrëfyera prej tij jashtë kritereve ligjore të kërkuara nga Kodi i Procedurës Penale. Avokatët kërkuan paraqitjen e një prove ligjore nga ana e prokurorisë që vërteton hyrjen e të penduarit Adriatik Coli në territorin shqiptar në vitin 2005. Në lidhje me pretendimet e avokatëve për të zotëruar të gjitha deklarimet e dhëna nga Adriatik Coli në prokurori, përfshi edhe disa episode të pathëna në këtë proces, gjykata ka vendosur dje të kërkojë informacion në prokurori. Gjykata do t’i kërkojë titullarit të Prokurorisë për Krimet e Rënda informacion për datën e regjistrimit të procedimit penal për këto ngjarje dhe datën kur i penduari Coli ka dhënë deklarime për to. Në seancën e djeshme, Coli i është përgjigjur pyetjeve të avokatëve, të cilët kanë kërkuar saktësime të disa prej momenteve të rrëfyera nga i penduari Coli në seancat e mëparshme. Një tjetër trup gjyqësor rrëzoi pasditen e së mërkurës kërkesën e Lulzim Berishës për të pasur deklarimet e Colit në prokurori për vrasjet e A. Kërtushës, D. Cenos dhe L. Kecit ngjarje të ndodhura në Durrës, deklarime të cilat nuk janë thënë në procesin e "bandës".
KUNDERSHTITE
Burime brenda seancës me dyer të mbyllura për median pohuan se gjithë gjyqi i djeshëm u shoqërua me debate të ashpra mes avokatëve dhe përfaqësuesve të akuzës. Sipas burimeve, disa prej mbrojtësve të të pandehurve kanë pretenduar dje shkelje të rregullave procedurale gjatë hetimit të çështjes. "Gjatë fazës së hetimeve prokuroria e ka dërguar të penduarin Coli në nëntë vendet ku kanë ndodhur ngjarjet kriminale për të cilat akuzohen të pandehurit e këtij procesi në orën 04:00 të mëngjesit dhe pa praninë e një avokati", mësohet të jetë pretenduar dje nga avokatët, të cilët kanë pohuar se kjo është shkelje flagrante e rregullave procedurale. Po sipas burimeve një tjetër avokat i ka kërkuar gjykatës të urdhërojë organin e akuzës të vërë në dispozicion një dokument, ku të vërtetohet se nga cila pikë kufitare është futur në Shqipëri në vitin 2005 i penduari i drejtësisë Adriatik Coli. Kjo, sipas avokatit, për të vërtetuar nëse hyrja e tij është e ligjshme, pasi në të kundërt për këtë do të ketë akuzë. Bëhet e ditur se gjykata ka rezervuar të drejtën për t'u shprehur në lidhje me këtë kërkesë në momentin e paraqitjes së provave shkresore nga palët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›