Tahiri: Të provohet që Shkëlzen Berisha nuk ka qenë i përfshirë në aferën e Gërdecit
Është zhvilluar sot në Gjykatën e Tiranës seanca e parafundit e gjyqit ndaj nënkryetarit të Grupit Parlamentar Socialist Saimir Tahiri, me paditës fëmijët e kryeministrit. Në seancë gjykatësi mori vendimin që kamerat të mos ishin të pranishme gjatë gjithë zhvillimit të saj edhe pse deputeti Tahiri shtroi kërkesën paraprake që të lejoheshin kamerat, si pjesë e përçimit të informacionit në publik.
Deputeti Tahiri ka paraqitur në seancë konkluzionet rreth zhvillimit të këtij gjykimi. Në konkluzione Saimir Tahiri citoi një sërë vendimesh dhe praktikash gjyqësore lidhur me të tilla çështje. Tahiri përmendi çështjen ku i pandehur ka qenë kryeministri, duke cituar dhe deklaratat e këtij të fundit në seanca parlamentare ku ka fyer jo vetëm deputetë të opozitës, por edhe familjarë të tyre, e përsëri gjykata e cilësuar atë si të pafajshëm.
Një tjetër pikë ku u bazua në konkluzionet e tij deputeti Tahiri ishte fakti se në këtë proces gjyqësor paditësit, Shkëlzen dhe Argita, nuk kanë paraqitur asnjë provë përveç certifikatës familjare, si fëmijë të kryeministrit. Nga ana e tij deputeti socialist edhe pse pa ndihmën e gjykatës dhe institucioneve që e kanë për detyrë ti vënë në dispozicion provat e kërkuara, ka patur një sërë provash të cilat janë hedhur poshtë nga gjykata.
Pas përfundimit të seancës Saimir Tahiri shprehu urimin që ky proces të shërbejë për vendosjen e një standardi të ri në drejtësinë shqiptare, ku gjykata të bëhet palë e drejtësisë dhe jo e interesave të pushtetit.
Kjo ishte seanca e fundit përsa i përket asaj që deklaruan paditësit dhe gjithë mbrojtjes time. Kështu që tani fjala e fundit i ka mbetur gjykatës. Tashmë, vendimi është në dorë të gjykatës. Është në dorë të gjyqtarit nëse do vendosë ti nënshtrohet pushtetit politik duke u skllavëruar përpara interesave politike, duke u rreshtuar njëkohësisht me fëmijët e kryeministrit dhe kryeministrin, apo do i besojë lirisë, drejtësisë, ligjit dhe frymës së Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi për ti dhënë zë të drejtës dhe jo interesave politike të pushtetit. Është në dorë e gjyqtarit të zgjedh nëse është në anën e të drejtës apo në anën e atyre që sot përkohësisht kanë pushtetin politik në dorë, tha Tahiri.
Kemi një sërë vendimesh ndaj deputetëve të PS që janë dënuar nga gjykata shqiptare, a mendoni se do jetë i njëjti vendim dhe ndaj jush?
Unë do të uroja që ky gjyqtar të japë shembullin sesi drejtësia mund të bëjë drejtësi duke dalë edhe përmbi interesat e pushtetit politik në qeveri. Në të kundërt, pastaj, do të ishte dëshmia e radhës e falimentimit deri në rrënjë të sistemit të drejtësisë, por edhe prova e radhës për reformën thelbësore që duhet në sistemin e drejtësisë, për të garantuar drejtësi për qytetarët dhe mbi të gjitha për ta shkëputur drejtësinë nga presioni politik.
Duke ju referuar edhe mbrojtjes tuaj. Dhatë një sërë shembujsh lidhur me vendimet e Gjykatës së Lartë. Mendoni se një gjykatë dy shkallë më poshtë mund të japë një vendim të kundërt me atë dhe si do të reagoni ju në këtë rast?
Praktika e Gjykatës së Lartë, jurisprudence e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut është mjaftë e qartë në këto raste. Gjykimet dhe vlerësimet e opinioneve të politikanëve nuk i nënshtrohen testit të vërtetueshmërisë kur bazohen mbi fakte të njohura botërisht. Dhe nuk ka sot njeri dyshim që shpërthimi i Gërdecit dhe përfshirja e Shkëlzen Berishës në atë çështje është fakt i njohur botërisht dhe i denoncuar nga njerëz që merreshin edhe me vetë aferën e Gërdecit. Nuk ka sot dyshim njeri që Argita Berisha është përfolur publikisht dhe sot njihet botërisht në afera të ndryshme që kanë të bëjnë me ndërmjetësimin për pasuri të paluajtshme dhe të tjera. Unë i jam referuar këtyre të dhënave dhe në këtë çështje kam shprehur opinionin dhe vlerësimin tim kritik në raport me situatën e korrupsionit në vend.
Nuk kam ndërmend të tërhiqem aspak nga vlerësimet e mia në lidhje me përfshirjen e fëmijëve të kryeministrit në korrupsion, deri në provë të kundërt. Deri kur Shkëlzen Berisha të provojë se nuk ka qenë i përfshirë në çështjen e Gërdecit. Deri kur Argita Berisha të provojë se nuk ka patur lidhje dhe nuk ka lidhje me afera të ndryshme që janë bërë publike. Deri në atë moment unë do të vazhdoj të mendoj dhe të kem bindjen time se janë të përfshirë në korrupsion.