E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Të ringjallim frymën e fitores së përbashkët

TIRANE- Sajmir Tahiri, në garë për kreun e PS-së së Tiranës e ka nisur fjalën e tij para të pranishmëve me një pasqyrë të ardhjes së tij mes socialistëve, që në cadrën e vullnetarëve në vitin 2003.

Që nga ajo ditë e parë në cadrën e vullnetarëve kam punuar pa u mërzitur, duke besuar tek të njëjtat aspirata, duke besuar te vetja ime, bashkëpunëtorët, gjithë socialistët, u martova edhe me porosinë e Pandit dhe sot kam një djalë që e dua sa drita e syve, por më shumë se kaq jam rritur si njeri me karakter, ndër sfida të njëpasnjëshme, sukses e dështime dhe jam para jush tu kërkoj të më besoni drejtimin e PS së Tiranës duke më dhënë detyrën për të punuar më shumë- ka thënë Tahiri.

Ai ka shprehur bindjen se PS meriton një fitore spektakolare e të denjë për ne. Eksperienca ime mund të jetë modeste, vetëm me besim e vullnet gjërat arrihen, mund të ecet përpara, në PS mund të ndërtosh rrugën tënde me punë, duke përtypur mërzinë e dështimit, duke mos reshtuar së besuari.  Bashkë me ju mund të ndërtojmë një parti të denjë, mund të ngremë ekipe të denja për tiu përgjigjur punës që na pret- tha ai.

Tahiri i ka kërkuar të pranishmëve besimin se duhet të ringjallin bashkë frymën e fitores së përbashkët, në emër të kujtdo që pret të gjejë shpresën. Ne duhet të rilindim bashkë me shpirt e mendje, për të siguruar shqiptarët se programi ynë është fryt i besimit tonë, se ky vend duhet të bëhet, duhet të shndërrohemi në ata që duhet të jemi, të organizohemi në mënyrë shembullore në cdo cep të Tiranës. Bashkë mund të ndërtojmë një parti të fortë, moderne dhe fituese se secili nga ju vlen sa 1 mijë nëse beson te vetja, shoku dhe suksesi- tha Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›