E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, drekë me deputetët e PD-së të kryeqytetit

Lulzim Basha dje para takimit me deputetët

Të pranishëm ministrat, Nishani, Tafaj, Bregu e Bumçi. Mungojnë Imami, Rusmali, Gumi e Strazimiri.

Diskutohen projektet e kryeqytetit, në takim edhe 4 ministra.

Gati një vit pasi u detyrua të lërë mandatin e deputetit për shkak të kandidimit për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha kthehet sërish në Grupin Parlamentar demokrat. Këtë herë jo për të diskutuar për punët e Ministrisë së Brendshme, ku qëndroi derisa nisi fushatën elektorale, por për të diskutuar për Tiranën. Kreu i Bashkisë ka thirrur dje në një dreke pune, në periferi të qytetit, deputetët e Tiranës, ku ka biseduar me ta për rreth 120 minuta.
Dreka
I pari që ka shkuar në restorantin Sofra e ariut ka qenë pikërisht mikpritësi i kësaj dreke, kryebashkiaku Basha. Më pas janë parë ministrat Bujar Nishani, Majlinda Bregu, Aldo Bumçi, Myqerem Tafaj si dhe deputetët Gerti Bogdani, Rajmonda Bulku, Florjon Mima, Tritan Shehu dhe Lajla Përnaska. Nga ana e tij, kryebashkiaku ka qenë i shoqëruar nga nënkryetarja Jorida Tabaku, edhe ajo kandidate e listës së PD-së në qarkun e Tiranës. Në këtë drekë kanë munguar kryetari dhe sekretari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali e Viktor Gumi, për shkak të angazhimeve të tyre me ekspertët e OSBE/ODIHR-it që kanë ardhur në Tiranë, si dhe ministri

Lajla Përnaska dje para takimit

i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ndodhej në një analizë të punës së Forcave të Armatosura. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për gazetën se për rreth dy orë është diskutuar vetëm për investimet në Tiranë dhe është shmangur debati politik i ditës. Deputetët e pranishëm në drekën e djeshme kanë qenë në krye të zonave elektorale në minibashkitë e Tiranës. Gjatë zgjedhjeve të tetë majit, kryebashkiaku Basha mori 92 vota më shumë se kundërshtari i tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Nga 11 njësitë vendore, me përjashtim të Njësisë Nr. 5, e cila njihet si bastion i PS-së, kandidati i mbështetur nga koalicioni i djathtë fitoi bindshëm në njësitë bashkiake nr. 2, 4, 8, 9, 10 dhe 11, ndërkohë që ka humbur me një diferencë të vogël në njësitë bashkiake nr. 1, 3 dhe 7. Përveç votës si kryetar bashkie, më 8 maj, PD-ja fitoi edhe shumicën e minibashkive dhe shumicën e këshillave të minibashkive. Sa i takon Këshillit të Bashkisë së Tiranës, koalicioni i djathtë ka një këshilltar më shumë.

Deputetët e Tiranës
Të pranishëm

Aldo Bumçi
Rajmonda Bulku
Bujar Nishani
Majlinda Bregu
Gerti Bogdani
Florjon Mima
Myqerem Tafaj
Tritan Shehu
Lajla Përnaska

Mungonin
Gent Strazimiri
Ilir Rusmali
Viktor Gumi
Arben Imami

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›