Tahiri fton qytetarët: Si e doni Policinë e Shtetit
Ministri i ri i Brendshëm, Saimir Tahiri u ka kërkuar të gjithë fansave të tij në rrjetin social Facebook që të dërgojnë të gjitha sugjerimet e tyre për Policinë e Shtetit. Me titullin Bëje Policinë e Shtetit, Policinë tënde, Tahiri siguron se të gjitha sugjerimet do të jenë pjesë e axhendës së tij në shtator. Bëje Policinë e Shtetit, Policinë Tënde! Më shkruaj sugjerimet e tua! Dua që përgjegjësinë time ta ndaj me çdonjërin prej jush për aq sa është e mundur! Me cilindo që qoftë dhe një herë të vetme, ka menduar çfarë nuk shkon sot në Policinë e Shtetit e si duhet ndrequr. Duke filluar nga komunikimi, etika dhe sjellja, uniforma, siguria në komunitetin/ qytetin/ fshatin që banoni, vendin e punës apo çfarëdolloj çështje që keni hasur ose ndjeni se duhet trajtuar. Policia e Shtetit duhet të jetë Policia Juaj! Ndaj nisni që sot e ndjehuni të lirë të më shkruani çdo sugjerim, çdo mendim, çdo eksperiencë tuajën personale prej të cilës mund të mësojmë diçka më shumë nga çdimë sot, çdo iniciativë që në vlerësimin tuaj Policia e Shtetit duhet ta ketë në axhendën prioritare. Pra gjithçka e vlerësoni të nevojshme për ta implementuar bashkë nga Shtatori e tutje! Ne kemi program për reformimin e thellë të Policisë së Shtetit bazuar në angazhimet tona para zgjedhjeve. Program që vazhdon të detajohet me ekspertët më të mirë. Për këtë arsye, ndihma juaj është më shumë se e vyer. Bëje Policinë e Shtetit Policinë tënde dhe më shkruaj sugjerimet e tua! Do i mbaj shënim për ti kthyer në axhendë pune menjëherë duke komunikuar bashkë në vazhdimësi.