E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon PD: Vendimi është i paligjshëm, Kolegji u vu nën presionin e PS

03-08-2013 / Gazeta 55

Kolegji Zgjedhor miraton vendimin për ndarjen e mandateve

Kolegji Zgjedhor pranoi dje kërkesën e Partisë Socialiste për ndarjen e mandateve të deputetëve për të 12 qarqet e vendit. Ndaj kësaj vendimmarrjeje ka reaguar përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso, i cili ka denoncuar atë që e ka quajtur “presion ilegal” të PS ndaj Kolegjit Zgjedhor. “Ndjeva keqardhje për faktin se Kolegji, i ndodhur përpara presionit të paligjshëm të PS, me një objekt të paligjshëm të paraqitur jo në kohën e duhur, zgjodhi të dorëzohej përpara këtij presioni të paligjshëm”, ka deklaruar Kaso.
Ai është shprehur se Kolegji ka marrë dy vendime anti-kushtetuese dhe ka shkelur autoritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nën presionin e mazhorancës së re.
“Ne shprehëm pretendimet tona se një procedim i tillë është një vendimmarrje e anti-kushtetuese për faktin se reduktohen kompetencat e Kolegjit për të vepruar sipas ligjit. Sot u vu re një uzurpim i kompetencave të Kolegjit nga PS dhe me këto vendime Kolegji i dha goditjen e fundit KQZ-së”, ka shtuar Kaso. Ndërkohë, nuk ka munguar edhe reagimi i përfaqësuesit ligjor të PS, Koli Bele, i cili i ka cilësuar absurde pretendimet e PD për presion politik ndaj Kolegjit. “Pretendimet e PD për presion politik janë antiligjore. Kolegji po përfundon procesin sipas ligjit. PD nuk pranon dot humbjen e thellë. Sot u nda ajo që zgjedhësit votuan në zgjedhjet e fundit”, ka deklaruar Bele.
Më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti dot të merrte një vendim për ndarjen e mandateve për shkak të mungesës së 3 anëtarëve të së majtës, gjë që kushtëzonte kuorumin e nevojshëm prej 5 votash. Por fillimi i mbledhjes u përfshi nga debatet mes palëve, pasi përfaqësuesit e PS akuzuan KQZ-në së ka shkelur afatet që i ngarkon ligji për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Sipas Genc Gjoncaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të kishte kërkuar më parë mbledhjen për ndarjen e mandateve. Sipas tij, për këtë arsye PS iu drejtua kolegjit për të bërë ndarjen e mandateve. Por sipas kryetares Leferie Lleshi nuk ka asnjë shkelje afatesh. Tashmë i mbetet Kolegjit Zgjedhor të çertifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe të deklarojë ndarjen e mandateve për çdo parti sipas zonave.

Ndarja e mandateve sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor

Qarku i Tiranës
PS – 15 mandate
PD – 12 mandate
LSI – 3 mandate
PDIU – 1 mandat
PR – 1 mandat

Qarku Gjirokastër
PS – 3 deputetë
LSI – 1 deputet
PD – 1 deputet

Qarku Lezhë
PD – 4 mandate
PS – 2 mandate
LSI – 1 mandat

Qarku Berat
PS – 4 mandate
LSI – 2 mandate
PD – 2 mandate

Qarku Shkodër
PD – 4 mandate
PS – 4 mandate
LSI – 1 mandat
PKDSH – 1 mandat

Qarku Durrës
PS – 6 mandate
PD – 5 mandate
LSI – 1 mandat
PR – 1 mandat

Qarku Kukës
PD – 3 mandate
PS – 1 mandat

Qarku Dibër
PD – 3 mandate
PS – 2 mandate
LSI – 1 mandat

Qarku Elbasan
PS- 6 mandate
LSI - 2 mandate
PD - 4 mandate
PDIU - 1 mandat
PR - 1 mandat

Qarku Korçë
LSI - 1 mandat
PS - 6 mandate
PD - 5 mandate

Qarku i Fierit
LSI – 2 mandate
PS – 9 mandate
PD – 4 mandate
PDIU – 1 mandat

Qarku Vlorë
PS - 6 mandate
PBDNJ - 1 mandat
PD - 3 mandate
PDIU - 1 mandat

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›