E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbajtëm premtimin, dixhitalizimi rrit transparencën dhe përgjegjshmërinë

03-08-2013 / Gazeta 55

Ministri Halimi prezanton dy sistemet dixhitale në Ministrinë e Drejtësisë, për Shërbimin e Provës dhe atë për dosjet e të dënuarve

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka prezantuar dje dy sistemet më të reja dixhitale në ministrinë e Drejtësisë, atë elektronik për Shërbimin e Provës dhe atë për dosjet e të dënuarve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Halimi duke sqaruar përparësitë e dy sistemeve thekson se ky është një tjetër premtim i mbajtur për dixhitalizimin në kuadër të transparencës. “Grupi i talentuar i bashkëpunëtoreve të mi, përfundoi sot dy prej sistemeve elektronike më të dobishme në menaxhimin e kartelave te të dënuarve që janë në burgje dhe atyre në shërbimin e provës. Sistemi elektronik E-GOV CRM SHP për Shërbimin e Provës dhe sistemi E-GOV CRM DPB për dosjet e të dënuarve në Drejtorinë e Përgjithshme te Burgjeve, janë dy sistemet më modern të administrimit dixhital të arkivës dhe gjendjes aktuale të personave që vuajnë një dënim penal. Gjatë vizitave zyrtare të mia, në disa vende të BE-së kërkova të merrja modelet e sistemeve të tilla të cilat dhe në vendet më të zhvilluara ishin duke u ndërtuar, ndaj i nxitur nga ngjarja e para disa muajve ku një person kishte hyrë e dalë disa herë nga gjykata për vepra penale ndaj të miturve dhe se për te mungonin rekordet në Drejtorinë e Burgjeve, i kërkova vendosmërisht bashkëpunëtoreve të mi të merrnim masa të menjëhershme për të parandaluar raste të ngjashme. Pa asnjë shpenzim nga paratë e taksapaguesve, ekspertët e IT, arritën të sjellin sy sisteme të cilat do të menaxhojnë në mënyrë elektronike të dhënat për të dënuarit, të dhënat personale, krimet për të cilat janë dënuar, gjendjen psikologjike, lidhjet me alkoolin apo drogat, prirjet negative, përpjekjet për rehabilitim, të dhënat për sociologët, psikologët, mjekët, kartelat mjekësore, të dhënat për policinë, të dhënat për gjykatën e prokurorinë. Sistemet elektronike do të bëjnë që të menaxhohen më lehtë dhe në kohë reale të dhënat e të dënuarve, do të rrisin kontrollin mbi të gjitha lejet që jepen në burgje, mbi të gjitha raportet e sociologeve në shërbimin e provës në lidhje me rehabilitimin, do menaxhohen rastet e korrupsionit eventual, rastet e verifikimit të takimeve dhe kontrolleve në burgje. Kam qenë dhe jam gjithmonë i bindur se dixhitalizimi rrit transparencën dhe transparenca rrit përgjegjshmërinë e çdokujt përballë ligjit,duke reduktuar korrupsionin dhe ndihmuar në sigurinë publike të qytetareve. Këto sisteme përmbajnë elementet me të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave, duke respektuar privatësinë e të dënuarve dhe të të gjithë përdoruesve të tjerë të interesuar. Nga 1 shtatori ato do të zbatohen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri.
Kjo ishte reforma e fundit që kishim premtuar të realizonim këtë vit në fushën e dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë. I jam mirënjohës cilitdo që besoi në projektin e drejtësisë dixhitale si mundësia me e mire për të ofruar shërbime cilësore dhe transparente për çdo qytetar. Fal kontributit të nëpunësve të administratës ne realizuam çdo projekt të premtuar, patëm arritje të rëndësishme dhe një qeverisje të suksesshme”- shkruan ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›