E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri fton serbët e veriut të dalin në zgjedhje

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti sot shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean – Claude Schlumberger, me të cilin bisedoi për gjendjen e përgjithshme në vend. Me theks të veçantë biseda u përqendrua në përgatitjet që janë duke u bërë për organizimin e zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen më 3 nëntor 2013.

Tahiri me këtë rast ritheksoi përkushtimin institucional për organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve lokale, konform Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit të Kosovës, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me OSBE-në, sipas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, ku OSBE-ja ka një rol lehtësues, thuhet në komunikatën e Zyrës për komunikim të Kryeministrisë.

Tahiri edhe njëherë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, në veçanti serbëve të pjesës veriore të Kosovës që ta shfrytëzojnë këtë mundësi demokratike për të dalë në zgjedhje dhe për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim në qeverisjen komunale.

Ambasadori Schlumberger vlerësoi të arriturat e Kosovës gjatë këtyre viteve dhe shprehu gatishmërinë për të ofruar përkrahjen e mëtutjeshme të Misionit të OSBE-së për zhvillimin demokratik dhe institucional të Kosovës. Në mënyrë të veçantë, Schlumberger u fokusua tek roli që ka OSBE-ja në procesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim, me theks të veçantë për rolin që ka BE-ja për të ndihmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat e pjesës veriore të vendit.

Si thuhet më tutje në komunikatë, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe OSBE-së të intensifikohet edhe më shumë, në mënyrë që të zhvillohet një proces demokratik dhe i suksesshëm zgjedhor, i bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ashtu siç specifikohet qartë në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›