E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri mohon të jetë diskutuar për telekomunikacionin

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka mohuar se të enjten Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar apo do të zhvillojnë bisedime për çështjen e telekomit. Për të tilla takime kishte raportuar gjatë ditës agjencia serbe e lajmeve Tanjug .

Gjatë një prononcimi për portalin Koha.net, Tahiri ka thënë të jetë duke u kthyer rrugës nga Brukseli për në Prishtinë, pasi gjatë javës nuk do të jetë ndonjë çështje që do të diskutohet ndërmjet palëve.

“Nuk ka takim sot për telekomin, siç është paralajmëruar në media. Për këtë javë, siç ju kemi paralajmëruar edhe në komunikatë, ka pasur bisedime vetëm për çështjen e zgjedhjeve, ndërsa të hënën vazhdojmë për çështje të drejtësisë”, ka thënë Tahiri nëpërmjet telefonit. “Për telekomin dhe energjinë ende nuk kemi ndonjë njoftim nga ana e Bashkimit Evropian, se kur mund të vazhdojnë bisedimet”.

Tanjug kishte raportuar se Tahiri do të takohet sot me koordinatorin e Serbisë për dialogun teknik me Kosovën, Rasim Lajiq.

Çështje kontestuese ndërmjet palëve kanë mbetur kodi telefonik për Kosovën dhe statusi i Telekomit të Serbisë në Kosovë. Gjatë takimit të fundit është njoftuar për afrim pozicionesh, por jo edhe për zgjidhje. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›