Egjiptianët e Kosovës dhe MPJ e Shqipërisë përshëndesin njohjen nga Egjipti

Lajmi për njohjen e Kosovës nga Egjipti më së shumti e gëzoi komunitetin e egjiptianëve të Kosovës dhe në përgjithësi egjiptianët e Ballkanit. Ky lajm i mirë për Kosovën, e në veçanti për komunitetin egjiptian të Kosovës, erdhi vetëm dy ditë pas 24 qershorit "Ditës Kombëtare të egjiptianëve të Ballkanit", dhe padyshim se kjo është dhurata më e mirë për këtë ditë të shënuar për ne, thuhet në një kumtesë të IDRK-së.
“Njohja nga Egjipti është fillimi i lidhjeve të rëndësishme që do të pasojnë në të ardhmen në bashkëpunimin në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Egjiptit, përafrimit të popullit të Kosovës me popullin e Egjiptit, dhe në veçanti për forcimin e lidhjeve shpirtërore në mes të egjiptianëve të Ballkanit me popullin e Egjiptit’, thuhet në fund të kësaj kumtese të nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm i IRDK-së, Veton Berisha.
Njohjen e vendit tonë nga Egjipti e ka përshëndetur edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. “Njohja vjen në një moment tepër të rëndësishëm për afirmimin e mëtejshëm ndërkombëtar të Kosovës, të anëtarësimit të saj në organizatat rajonale, evropiane e më gjerë, si dhe në prag të konfirmimit të hapjes së negociatave për MSA-në me Bashkimin Evropian. Jemi të bindur se njohja nga ana e Egjiptit, për vetë rolin dhe peshën që ky vend ka në Lindjen e Mesme, do të ketë një impakt pozitiv për njohje të reja nga vende anëtare të Lidhjes Arabe dhe të OBI, që Kosova të zërë vendin e saj të merituar në familjen e Kombeve të Bashkuara”, përfundon njoftimi i MPJ-së nga Tirana./Indeksonline/