Tahiri:Lëvizja e lirë, rezultat i marrëveshjes

Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit është në harmoni me ligjin dhe strategjinë nacionale të Kosovës të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
RTK njofton se ajo ka thënë se me marrëveshjen e arritur në Bruksel, Serbia i ka njohur kufijtë e Kosovë dhe se me këtë marrëveshje Kosova ka përfituar shumë. Tahiri ka pohuar se rezultat i kësaj marrëveshje do të jetë heqja e barrikadave dhe garantimi i lëvizjes së lirë në veri.
Më tej, kryenegociatorja ka theksuar se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit e arritur në Bruksel do të shoqërohet edhe me nënshkrimin e protokollit teknik në mes të Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian e SHBA-ve, si garantues të marrëveshjes.
Tahiri ka njoftuar se një ndërtesë e përbashkët do të jetë në zonën neutrale, ku do të ketë police, doganierë kosovarë dhe serbë, ndërsa të ardhurat do të shkojnë në buxhetin e Kosovës duke qenë se simbolet shtetërore nuk do të vendosen në ndërtesën e përbashkët, por vetëm në ato ekzistues.