Tajger Vuds kryeson pasanikët e sportit
Tajger Vuds është sportisti më i paguar i vitit 2009. Në klasifikimin e publikuar nga revista "Forbes", golfisti amerikan dominon me përfitime që përllogariten në rreth 67 milionë euro, 25 më shumë se anglezi Devid Bekam, i cili klasifikohet i dyti me 42 milionë euro të ardhura vjetore. Edhe një herë, diferenca është bërë nga kontratat faraonike me sponsorët, por edhe nga shpërblimet e mëdha të turneve të golfit. Kjo konfirmohet nga vendi i tretë në klasifikim i Fil Mikelson (35 milionë euro). Gjithsesi, ky mund të jetë viti i fundit që Vuds është sportisti më i paguar në botë: skandalet e tradhtisë bashkëshortore e kanë kompromentuar seriozisht imazhin e kampionit të padiskutueshëm. Në vendin e katërt renditet Valentino Rosi, më i pasuri në sportet motoristikë, që përfiton 32 milionë euro. Pas "Doktorit" vjen basketbollisti LeBron Xhejms (28), tenisti Roxher Federer (27), bejsbollisti Aleks Rodriguez (27), Luis Hemilton (25), Kimi Raikonen (24), ndërsa "Top 10" mbyllet nga basketbollisti Shakill O‘Nill, me 23.5 milionë euro përfitime.