Moratoriumi "antiskaf", dhuratë për Italinë
Kryeministri Sali Berisha i "dhuron" Italisë zgjatjen e moratoriumit të skafeve edhe për tre vite të tjera. Vendimi u mor dje në mbledhjen e qeverisë, duke u konsideruar dëshmi e vullnetit të hekurt të kësaj mazhorance, për t‘i dhënë përgjigjen më të mirë mafies dhe për të parandaluar krimin. Dje në darkë Berisha u nis drejt Italisë, ku në axhendë ka një takim zyrtar me Papa Benediktin XVI. Kryeministri Berisha u shpreh dje se qeveria e merr këtë vendim për të zgjatur afatin në kuadrin e luftës kundër trafiqeve dhe mafies. "Këto mjete të vogla dhe të shpejta lundrimi nuk kanë asgjë të përbashkët me turizmin, por janë tërësisht industri e mafies dhe trafiqeve, ndaj dhe si një dëshmi e vullnetit të hekurt të kësaj mazhorance, për t‘i dhënë përgjigjen më të mirë, për të parandaluar krimin dhe mafien, ne zgjasim edhe tre vjet të tjera, dhe vazhdimisht deri sa të jemi në pushtet, këtë moratorium", theksoi Berisha. Kryeministri vuri në dukje se zbatimi i moratoriumit ka pasur efekte jashtëzakonisht pozitive, pasi gjatë këtyre katër viteve fatmirësisht nuk janë shënuar viktima në Otranto dhe brigjet e tjera të vendit, "ndërkohë që para moratoriumit, vetëm të regjistruar janë 420 burra, gra, fëmijë, të cilët kanë humbur jetën në thellësitë e ujërave të ftohta të Jonit apo të Adriatikut", nënvizoi Berisha. Ai theksoi se tashmë shqiptarët po shkojnë drejt lëvizjes së lirë dhe heqjes së vizave. Kryeministri u shpreh se ujërat shqiptare do të jenë të pastra prej këtyre mjeteve të përdorura për qëllime kriminale. "Heqja e vizave është përgjigjja më e shkëlqyer e dëshirave, nevojave, problemeve të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur në hapësirat e BE-së. Kështu që sërish famëzezat skafe mbetën vetëm për trafiqe kriminale, ndaj dhe ujërat tona do të jenë të pastra prej tyre. Mendoj se është një masë adekuate, shumë e përshtatshme në betejën e shpallur në luftën me zero tolerancë ndaj mafies", nënvizoi Berisha. Sakaq, në një prononcim për "Shqip" kanë ardhur edhe reagimet e para për këtë vendim të qeverisë. Deputeti socialist, Pirro Lutaj, tha se "vazhdon demagogjia që cenon të drejtat e njeriut". Sipas tij, Kryeministri po merr vendime pa dashur të dijë sa të drejta cenon. Presidenti i nderit të republikanëve, Sabri Godo, deklaroi se duhen parë statistikat e viteve të shkuara se sa efekt kishte ky ligj. "Sipas asaj çka thotë qeveria, domethënë se ka funksionuar. Ndaj moratoriumi duhet të vazhdojë, por duhet parë mundësia e lejimit të mjeteve me fuqi të vogël dhe duhet marrë mendimi i shoqërisë civile", tha ai. Në vlerësimin e Godos përballë kësaj nisme s‘mund të ketë pozicionim neto, "pro" apo "kundër". Neritan Ceka, këshilltar i Kryeministrit, i njohur për nismat e tij "anti-moratorium", tha se "ndodhem jashtë vendit, nuk jam në dijeni". Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, tha se "nisma është në sinkron me ligjin anti-mafia dhe do na ndihmon për heqjen e vizave".
D.M.
D.M.