E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri, në Bayern me Kosovën

Xherdan Shaqiri nuk e harron asnjëherë prejardhjen e tij, Kosovën. Mesfushori kosovar, në stërvitjen që e ka mbajtur të martën me ekipin e ri, Bayern Munich kishte veshur këpucë sportive, në të cilat vërehej flamuri i Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës, vende këto me të cilat është mjaft i lidhur 21 vjeçari.

Ndërkohë, përfaqësuesi zviceran i ka treguar objektivat që ka në sezonin e tij të parë në Bayern Munich. Krahas titujve në nivelin ekipor, mesfushori kosovar ka folur edhe për atë se çka synon në nivelin personal.

“Objektiv imi është që të luaj sa më shumë dhe të tregoj paraqitje të mira në sezonin tim të parë. Unë luaj në zonën ofanzive, mund të luaj në të majtë ose në të djathtë, ose prapa sulmuesve. Se ku do të përdorem, nuk është shumë me rëndësi, të shohim”, deklaroi futbollisti gjilanas për ueb faqen spox.com.

Përfaqësuesi zviceran ndihet krenar që do ta ketë mundësinë të luajë në gjigantin bavarez, e posaçërisht që do ta ketë mundësinë të punojë me një trajner si Jupp Heynckes.

Ai beson se Bayerni do ta fitojë titullin e kampionit këtë sezon, edhe pse e pranon se nuk do të ketë punë të lehtë për ta arritur këtë, duke e pasur parasysh fuqinë e kundërshtarit kryesor Borussia Dortmund, kampion i dyfishtë në dy sezonet e fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›