E Diel, 1 Nëntor 2026

Takim lamtumirës i Topit me ambasadorin Withers

Tiranë, 27 korrik - Një takim kortezie dhe mirënjohjeje mes presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, dhe ambasadorit amerikan në largim, John Withers, është zhvilluar sot paradite në presidencë. Takimi, i cili ka zgjatur për afro 30 minuta, është zhvilluar në përfundim të mandatit dhe largimit të ambasadorit Withers nga Tirana në muajin gusht.

Presidenti Topi vlerësoi ambasadorin për mënyrën e drejtpërdrejtë të të bërit diplomaci si dhe kontributin që ai ka dhënë në përforcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA. Ai shprehu mirënjohjen e thellë dhe në emër të shtetit shqiptar për gjithë punën e vyer dhe shërbimin e çmuar diplomatik si përfaqësues i aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë.

Ambasadori Withers, nga ana e tij, falënderoi kreun e shtetit shqiptar për mbështetjen personale dhe institucionale, duke theksuar se po largohet nga Shqipëria me kujtimet më të mira për këtë periudhë mbi trevjeçare dhe “me bindjen se asgjë nuk do ta ndalë popullin shqiptar që me vlerat, energjinë dhe vendosmërinë e tij të ndërtojë një Shqipëri sa më të mirë, të bazuar mbi vlerat universale të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe rritjes së mirëqenies së gjithanshme”.

Presidenti amerikan Barack Obama ka propozuar Alexander Arvizun për ambasador të ri të SHBA-së në Tiranë. Emërimi i tij duhet të konfirmohet edhe nga Senati amerikan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›