Lojë “fair play”, Shqipëria në vendin e 32-të
Shqipëria renditet në vendin e 32-të në Evropë, për sa i përket respektimit të rregullave të lojës. Në klasifikimin e publikuar dje nga UEFA, vendi ynë renditej ndër vendet e fundit për sa i përket “fair play”-t, por ka lënë pas skuadra si Hungaria, Rumania, Serbia dhe Gjeorgjia. Në këtë klasifikim, në bazë të rregullave të reja të UEFA-s kanë marrë pjesë ato vende, skuadrat e të cilave kanë zhvilluar më shumë se 25 ndeshje që nga koha e anëtarësimit në UEFA. Lista përbëhej vetëm nga 38 emra, pasi 15 prej federatave anëtare të UEFA-s nuk e plotësonin këtë kriter. Ndërkaq, vlerësimet për çdo skuadër janë bërë duke u bazuar te 1) raportet e delegatëve të UEFA-s, që kanë ndjekur ndeshjet e kompeticioneve evropiane, 2) numri i kartonëve të verdhë për skuadrat pjesëmarrëse në kompeticionet evropiane, 3) respektimi i kundërshtarit, 4) respektimi i gjyqtarit, 5) sjellja e stafit drejtues dhe e tifozëve vendës. Vendin e parë në këtë klasifikim e mban Norvegjia, e ndjekur më pas nga Danimarka, Skocia dhe Holanda. Kampionia në fuqi e Evropës, Spanja, renditej në vendin e 13-të, ndërsa kampionia në fuqi e botës, Italia, renditej në vendin e 25-të.