E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani ndërron mendje: Nuk largohem nga Kievo

 

Lacio apo Bolonja? Asnjë nga të dyja, Erjon Bogdani ka vendosur të qëndrojë te Kievo, deri në fund të sezonit. Qendërsulmuesi i Kombëtares shqiptare ka saktësuar dje se nuk do të largohet nga Kievo dhe se dëshiron të qëndrojë me këtë skuadër deri në fund të sezonit. “Unë nuk do të lëviz që këtu. Falënderoj të gjitha klubet që interesohen, por nuk do të largohem nga Kievo”, ka thënë futbollisti për të përditshmen veroneze “L’Arena”. Ndërkaq, lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i Kievos, Xhovani Sartori, i cili është shprehur se pas ardhjes së Maikunas në skuadër, nuk do të ketë më largime, duke lënë të kuptohet se Bogdani do të qëndrojë deri në fund. “Sulmi është në rregull, – tha Sartori për median italiane. – Do të bëjmë disa ndryshime vetëm në mbrojtje dhe në mesfushë”. Ndërkaq, sipas gazetës “L’Arena”, klubi ishte i gatshëm që Bogdani të transferohej në një skuadër tjetër edhe për shkak të pagës së tij të lartë, por ka qenë sulmuesi ai që nuk është bindur nga ofertat që ka pasur deri tani, e kësisoj ka vendosur të mos largohet. Gjithsesi, ky nuk është një vendim përfundimtar, pasi merkato do të jetë e hapur deri më 31 janar dhe gjatë ditëve të ardhshme mund të ketë zhvillime të reja, për sa i përket të ardhmes së sulmuesit kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›