E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimet e Kryeministrit Berisha ne Norvegji me krere te qeverise e shtetit

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar zhbllokimin miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë votën e 3/5 të deputetëve në Parlament. Gjatë takimit me Zëvendëspresidentin e Parlamentit norvegjez, zotin Per-Kristian Foss, kreu i qeverisë është shprehur se Parlamenti ka marrë vendim për të zhbllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, fillimin e reformës zgjedhore dhe asaj të rregullores së Parlamentit.
Sipas tij, këto ishin kushte të vendosura edhe nga Bashkimi Europian.

Zoti Berisha ka nënvizuar faktin se pas një bllokimi dyvjeçar të reformave kyçe, opozita më së fundi po i kthehej realitetit politik. Ai ka shprehur shpresën se një kurs i tillë politik do të vazhdojë në interesin më të mirë të vendit. Kreu i qeverisë shqiptare ka siguruar se integrimi europian është projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij dhe se ky projekt bazohej vetëm në merita dhe reforma.

Kryeministri Berisha u ndal te investimet në sektorin e energjisë së rinovueshme, ku kompania norvegjeze Statkraft ka një rol primar në projektin hidroenergjitik të kaskadës së Devollit, aktualisht ndër më të mëdhenjtë në Europë.

Gjithashtu, Berisha vlerësoi edhe angazhimin e kompanisë tjetër norvegjeze Statoil në projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline. Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti i Parlamentit i vlerësoi kompanitë norvegjeze të përfshira në projekte energjetike në Shqipëri, si kompani lider në sektorët e tyre.

Zoti Per-Kristian Foss shprehu vlerësimin për programin e investimeve në infrastrukturë, kryesisht ato rrugore që qeveria shqiptare po zbaton.
Gjatë qëndrimit në Norvegji, kryeministri Berisha është pritur në një takim të veçantë nga Lartmadhëria e Tij Mbretërore, Princi i Kurorës Haakon Magnus.

Gjatë audiencës, Kryeministri e informoi Princin e Kurorës mbi qëllimet e vizitës në Norvegji, duke vënë theksin te bashkëpunimi bilateral dhe kryesisht, në fushën e energjisë së rinovueshme. Kreu i qeverisë vuri në pah marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Ai theksoi se projekti i kaskadës së Devollit që po zbatohet nga kompania norvegjeze Statkraft, në bashkëpunim me kompaninë austriake EVN, është një tregues i qartë në këtë drejtim.

Lartmadhëria e Tij, Princi i Kurorës Haakon Magnus, u shpreh mjaft i impresionuar nga progresi i bërë në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Ai vlerësoi lart projektet dhe shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›