E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia "fsheh" dëshmitarin që rrëmbeu Hoxhën

Uniformat blu thonë që dëshmitari ka ikur nga Shqipëria në një kohë që ai ndodhet në kryeqytet. Prokuroria zbulon skandalin


TIRANË- Skandal në gjyqin për zhdukjen e Remzi Hoxhës, policia e kryeqytetit nuk pranon që të tregojë se ku ndodhet një nga dëshmitarët kyç. Bëhet fjalë për një nga njerëzit e fundit që ka parë gjallë Remzi Hoxhën, për të cilin policia thotë thjesht se ndodhet jashtë Shqipërisë.


Por verifikimi i kryer nga prokuroria ka treguar se dëshmitari Riza Shehu ndodhet në Shqipëri. Ai ka hyrë në Shqipëri disa muaj më parë, kjo vërtetohet nga sistemi kompjuterik i kufirit, dhe nuk ka udhëtuar më jashtë.


Prokuroria e ka cilësuar këtë veprim të policisë si qesharak por ende nuk dihen shkaqet përse uniformat blu mbajnë të fshehur ish-punonjësin e SHIK-ut që ka shoqëruar Hoxhën për në bazën e Lezhës.


"Është qesharake nga ana e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, të deklarojë për dëshmitarin Riza Shehu se ndodhet prej 10 viteve jashtë territorit shqiptar, në kohën kur në sistemin e brendshëm të TIMS-it, ky person rezulton se ka dalë nga Shqipëria vetëm tre muajt e vitit 2008 dhe që nga ajo kohë ai ndodhet në Shqipëri".


Ky ka qenë reagimi i prokurorit Xhavat Hana, para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila dje zhvilloi seancën e 36 gjyqësore në ngarkim të tre ish-drejtuesve të SHIK-ut të akuzuar për rrëmbimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës.


Ka qenë kryesuesi i seancës gjyqësore, gjyqtari Xhelal Elezi, i cili ka lexuar para të pranishmëve në sallën e gjyqit, shkresën e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, të cilët në përgjigje të kërkesës dërguar nga kjo gjykatë për gjetjen dhe sjelljen e dëshmitarit Riza Shehu para gjykatës, janë shprehur se ky person nuk ndodhet në Shqipëri që prej 10 vitesh.


"Nga kërkimet e kryera në adresën përkatëse të relatuar nga Gjykata për shtetasin Riza Shehu dhe nga verifikimet e tjera të kryera nga ana e Drejtorisë së Policisë në Tiranë, është konstatuar se dëshmitari i kërkuar nuk ndodhet në Shqipëri.


Nga verifikimi i kryer, kemi mësuar se shtetasi Riza Shehu bashkë me familjen janë larguar nga Shqipëria këtu e 10 vite më parë"- thuhej në shkresën e Policisë që i është dërguar gjykatës.


I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit të çështjes Xhevat Hana, në lidhje me këtë shkresë. Sipas tij, "kjo përgjigje e Drejtorisë së Policisë është sa qesharake edhe jo serioze.


Pasi nga konstatimi i kryer nga ana Prokurorisë së Krimeve të Rënda në sistemin TIMS-së të Ministrisë së Brendshme është konstatuar se shtetasi Riza Shehu, dëshmitari i këtij rrëmbimi dhe njëri nga aktorët e shoqërimit të Remzi Hoxhës ndodhet brenda territorit shqiptar.


Sipas TIMS-it, dëshmitari Shehu ka lëvizur nga Shqipëria më 7 maj 2008 dhe është kthyer më 28 gusht 2008 dhe që nga kjo datë ai nuk ka lëvizur nga Shqipëria dhe ndodhet në Tiranë"- tha prokurori Hana, duke dorëzuar një kopje të të dhënave personale të dëshmitarit Shehu të nxjerra nga sistemi TIMS.


Ndërkohë, Gjykata, pasi verifikoi vërtetësinë e kopjes së sistemit TIMS, u shpreh se "për këtë shkresë të Drejtorisë së Policisë do të lajmërohet edhe Ministri i Brendshëm, duke i kërkuar atij të tregojnë më shumë seriozitet drejtuesit e Policisë së Tiranës në kërkimet e tyre".


Sipas akuzës, dëshmitari Shehu është njëri nga tre agjentët e SHIK-ut, që nën urdhrat e të pandehurit Avni Koldashi dhe "kolegut" të tij Bajram Bulica kanë shoqëruar më 21 tetor 1995 nga punishtja e tij biznesmenin kosovar Remzi Hoxha, duke ia dorëzuar tek vendi i quajtur "Kthesa e Kamzës" shefit të tyre Arben Sefgjini.


Gjithashtu, dje ka dëshmuar edhe ish-ekonomisti i firmës "Albatros" që drejtohej nga Remzi Hoxha, shtetasi Astrit Sula. 71- vjeçari Sula ka treguar para gjykatës për ditën e "rrëmbimit" të Hoxhës nga tre agjentët e SHIK-ut, të cilët e kishin marrë me dhunë nga punishtja pronarin e tij Hoxha.


"Ishin tre persona, që u prezantuan si punonjës policie, e morën Remzi Hoxhën dhe u larguan me makinën me targa TR 2449 C. Më pas erdhën dy nga ata tre personat dhe kontrolluan makinën, duke marrë disa dokumente",-nënvizoi dëshmitari.


Sipas akuzës, targa e përmendur në dëshminë e 71- vjeçarit i përket makinave të SHIK-ut, pasi këto targa ishin vënë në dispozicion të SHIK-ut të Tiranës të asaj kohe, të drejtuar nga i pandehuri Arben Sefgjini.

PROKURORIA
Akuzat për 4 ish-punonjësit e SHIK-ut


TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Shërbimit të Provës, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës.


Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë.


Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.


Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini.


Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, e cila drejtohej nga Avni Koldashi, makinë kjo që kishte si pronar institucionin e SHIK-ut dhe që rezulton se është tërhequr nga katër të pandehurit e kësaj dosjeje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›