E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimet për presidentin, këtë javë Berisha takon Nanon

Edhe pse zyrtarisht procesi për zgjedhjen e presidentit do të nisë në 20 maj, kandidatura për kreun e ri të shtetit është kthyer në axhendën kryesore të politikës shqiptare. Turi i takimeve të kandidatit të vetëshpallur për president, Fatos Nano dhe letra adresuar krerëve të partive parlamentare nga kryesocialisti Edi Rama i ka dhënë një tjetër shtysë procesit.
 

Fillimi i javës së ardhshme do të shënojë edhe takimin e shumë pritur dhe shumë të përfolur të ish-kreut të PS-së, Fatos Nano me kryeministrin Berisha. Takimi do të mbahet, menjëherë pas kthimit të kreut të ekzekutivit nga Italia, ku pritet të qëndrojë deri të hënën në darkë.
 

Gjasat janë që kryeministri Berisha të mos ndryshojë nga qëndrimi i mbajtura deri më tani se kandidati i mazhorancës do të jetë një nga emrat e kupolës drejtuese të PD-së edhe pse së fundmi, pas takimit të zhvilluar me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, ai është shprehur se zgjedhja e Presidentit do të kalojë përmes një procesi të negociueshëm.
 

Po gjatë kësaj jave, kandidati Fatos Nano do të takojë edhe ambasadorin e BE- së në Tiranë Etore Sekui, një takim i shtyrë ditën e premte për shkak të axhendës së ngjeshur të kryediplomatit europian në Tiranë. Deri më tani Fatos Nano ka ndërmarrë një sërë takimesh, duke e filluar me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta; e më pas me kreun e PS-së, Edi Rama. Dy deputetët e PDIU-së dhe kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Me interes pritet edhe qëndrimin që do të shpalosë kreu i PR-së, Fatmir Mediu me të cilin Nano ende nuk është takuar.
 

Ndërsa sa i përket takimit të kërkuar nga kryesocialisti Edi Rama për çështjen e presidentit së paku nga kryeministri Berisha ka një qëndrim të qartë, se bisedim nuk do të ketë derisa të nisin procedurat zyrtare për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, çka do të thotë deri në 20 maj.
 

Zgjedhja e kreut të ri të shtetit është e përcaktuar në tri nene të Kushtetutës dhe në një nen më vete në Rregullore. Procedura nis 60 ditë para se t`i përfundojë mandati Presidentit në detyrë dhe që për rastin konkret është 24 maji, pasi presidentit aktual Bamir Topi u zgjodh në 24 korrik.
 

Sipas kushtetutës për zgjedhen e presidentit fillimisht mblidhet Konferenca e Kryetarëve, që cakton datën e parë të votimit. Komisioni i Ligjeve do të mblidhet të shqyrtojë kandidaturën dhe t`i paraqesë një raport Kuvendit. Çdo kandidat duhet të ketë të paktën 20 firma deputetësh. “Presidenti i Republikës zgjidhet me një shumicë prej jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit në votimin e parë, votimin e dytë ose votimin e tretë. Në votimin e katërt dhe në votimin e pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›