E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi Chuntis-Topalli: “Të shpejtohet heqja e vizave”

Autori i Lajmit: Redaksia

Angazhimi i grupit konfederal të Unionit të majtë në Parlamentin Europian është për të përshpejtuar procedurat për heqjen e vizave ndaj shqiptarëve. Një fakt të tillë e ka deklaruar Nikolaos Chountis, raporter i Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Ballkanin, gjatë një takimi që zhvilloi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila i ka komunikuar atij se "parlamenti shqiptar ka kaluar të gjitha ligjet që janë detyrim për heqjen e vizave". Nga ana e tij, Chuntis tha se “kemi qenë dhe mbetemi mbështetës së lëvizjes së lirë të qytetarëve në Europë dhe përkrahim fort heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”.
“Unë besoj në përshpejtimin e proceseve integruese për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo thjesht si reporter dhe jo vetëm se detyrimet janë plotësuar, por unë besoj se integrimi i këtyre vendeve në BE është një aspekt pozitiv, faktor paqe dhe stabiliteti për rajonin, por edhe për mirëqenien e popujve”, tha ai në tërësi për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit theksoi se mbështetja gjithnjë e më e fortë që vjen nga komisionerët e BE-së dhe eurodeputetët për heqjen e vizave ndaj shqiptarëve, paraqitet për ne shumë inkurajuese. “Ne do të bëjmë çdo gjë, që të merret vendimi për heqjen e vizave, pavarësisht nga përpjekjet e një njeriu për ta penguar këtë, përmes sjelljeve jo europiane”, e siguroi ajo parlamentarin evropian.

Ky lajm është publikuar: 30/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›