E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi 2 ditë para vdekjes i Skerdilajd Konomit në hipotekën e Durrësit

SHKRUAN: Habjon Hasani 15-09-2011 10:49

Dy ditë para ekzekutimit në qendër të Vlorës, Skerdilajd Konomi kishte kaluar orë të tëra në hipotekën e Durrësit. Bashkëpunëtorë të tij të afërt kanë konfirmuar për grupin e hetimit se gjyqtari i vrarë është përpjekur të hipotekojë 1127 hektarët e tokës në bregdet, që i kishte fituar me vendim të Gjykatës së Lartë që prej 14 qershorit të këtij viti. Burime të rezervuara informuan MAPO-n se gjyqtari 33-vjeçar, i shoqëruar me një prej avokatëve të tij, ka trokitur në hipotekë për të bërë regjistrimin e pronës, akt ky i zvarritur në mënyrë të përsëritur nga zyrtarë të hipotekës. “Që prej vendimit të Gjykatës së Lartë, Skerdilajdi ka synuar hipotekimin e sipërfaqes së konsiderueshme që fitoi në Hamallaj. Në fillim i kanë kërkuar qoftë dhe një dispozitiv të vendimit të Gjykatës së Lartë, pa qenë nevoja për vendimin e zbardhur. Dy ose tri ditë para se të vritej, ai ka shkuar në hipotekë së bashku me avokaten dhe ka tentuar të dorëzojë dispozitivin e vendimit gjyqësor dhe në atë moment i është thënë se duhej vendimi i plotë i gjykatës, i zbardhur”, - bën me dije burimi i mësipërm për MAPO-n. “Nga ana tjetër, zyrtarët e hipotekës i kanë thënë Konomit të paraqitej dy ditë më vonë me vendimin e zbardhur, për të bërë regjistrimin”, u shprehën burimet e rezervuara. Udhëtimet e Skerdilajdit dhe kontaktimet e tij dhe të avokatëve të tij me zyrtarë të hipotekës, pak ditë para se të vritej, janë konfirmuar edhe nga grupi i hetuesve, të cilët nga ana e tyre kanë refuzuar që të detajojnë dhe të qartësojnë plotësisht natyrën e këtyre kontakteve. Burime të rezervuara nga grupi hetimor kanë bërë të ditur gjithashtu se zakonisht Skerdilajdi i ndiqte çështjet gjyqësore të pronave duke udhëtuar me kunatin e tij drejt Durrësit dhe Tiranës, por ky i fundit, në deklarimet e dhëna para hetuesve, është shprehur se javën e fundit nuk kishte udhëtuar me Skerdilajdin. “Nga marrja në pyetje e kunatit të tij, është konfirmuar se udhëtonte shpesh javët e fundit drejt Durrësit dhe Tiranës, por 2-3 ditët e fundit dyshohet se ai mund të ketë udhëtuar vetëm dhe jo si zakonisht, në shoqërinë e kunatit të tij, pasi ky i fundit ka thënë se nuk ka qenë pjesë e udhëtimeve me Skerdilajdin, siç ndodhte zakonisht”, - shprehen burime nga grupi hetimor. Hetuesit e çështjes, nga ana tjetër, kanë siguruar dje se i kanë kushtuar një vëmendje të posaçme personave të kontaktuar prej gjykatësit të vrarë dhe avokatëve të tij në hipotekë, ndërsa kanë konfirmuar dhe pyetjen e zyrtarëve të hipotekës lidhur me këtë çështje. Fillimisht, informacionet për vizitat e gjykatësit dhe tentativave të tij për regjistrimin e pronës në hipotekë kanë ardhur në rrugë operative, ndërsa më pas hetuesit kanë mundur të konfirmojnë intensitetin e vizitave të Skerdilajdit në hipotekë dhe 2-3 ditët e fundit para se të vritej. Dyshohet se tentativa e Skerdilajdit për të regjistruar pronën e fituar me vendim të Gjykatës së Lartë dhe ngurrimi i zyrtarëve të hipotekës apo zvarritja e regjistrimit të pronës mund të jenë edhe shpjegimi i ndonjë momenti tensioni të krijuar, si pasojë e ndonjë trysnie të palës kundërshtare në procesin gjyqësor për të vonuar regjistrimin e pronës në hipotekë. Gjithsesi, të gjitha dyshimet janë në proces verifikimi, ndërsa grupi hetimor, i kryesuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda, janë duke marrë në pyetje të gjithë personat që kanë takuar gjyqtarin Skerdilajd Konomi në ditët e fundit të jetës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›