Përplasje me armë me bandën e 17 grabitjeve, plagoset agjenti special
Tiranë Plani për grabitjen me armë të një kazinoje në qendër të Tiranës ka përfunduar me plagosjen e një polici special dhe dy prej autorëve. Breshëria e plumbave, e dëgjuar në sheshin “Avni Rustemi” në orën 23.00 të mbrëmjes paralajmëroi ngjarjen e rëndë, që i rrezikoi jetën një punonjësi policie në operacion. Dëshmitarë në vendngjarje i thanë “MAPO”-s se gjashtë persona të armatosur kanë hyrë në një kazino në këtë zonë, me qëllimin për të grabitur gjithçka mund të gjenin brenda arkës së saj. Pak sekonda më vonë, ata kanë dalë nga kazinoja me 3.5 milionë lekë, por janë përballur me pritën e ngritur nga agjentët e policisë. Agjentët e Grupit të Operacioneve Speciale, që mesa duket kanë mbajtur nën vëzhgim grabitësit, derisa ata të kryenin goditjen e radhës ishin bërë gati për ndërhyrjen e menjëhershme. Përplasja ka ndodhur në hyrje të kazinosë, në kohën që autorët e grabitjes e kanë parë veten në kurth. Burime nga policia e Tiranës, e cila rrethoi në mesnatë vendin e ngjarjes i bënë me dije “MAPO”-s se thirrjes për të ndaluar, grabitësit i janë përgjigjur me plumba. “Për disa minuta ka vazhduar shkëmbimi i zjarrit, pasi grupi i grabitësve nuk dorëzohej. Ishte një tmerr i vërtetë, njësoj si të shihje një film”,-pohoi një dëshmitar në vendngjarje. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur agjenti i repartit GOS, Ervin Gjana, i cili është nisur me urgjencë drejt spitalit Ushtarak, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, në vendngjarje ka vazhduar përplasja mes forcave të policisë dhe grabitësve deri në orët e mesnatës. Gjatë sulmit me armë kanë mbetur të plagosur dy prej grabitësve, i pari i identifikuar si Mirjan Curri dhe i dyti me mbiemrin Hasa. Katër grabitësit e tjerë kanë pranuar më pas t’i dorëzohen thirrjes së policisë, duke përfunduar në pranga. Burime nga policia bëjnë me dije se punonjësi i policisë ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa njëri prej grabitësve është në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të plumbave të marrë. Vendi ku ndodhi përplasja e armatosur mes grupit të grabitësve dhe forcave të policisë u rrethua nga forca të shumta të policisë së Tiranës, të cilët nisën hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Paraprakisht bëhet me dije se agjentët e GOS-it kishin bërë gati planin operacional për arrestimin e njërit prej grupeve të rrezikshëm të grabitësve në Tiranës, të akuzuar për 17 sulme të armatosura ndaj bizneseve. Që në fillim është përballur me kundërpërgjigjen e autorëve, ç’ka solli më pas përplasjen me armë që shkaktoi panik në qendër të Tiranës. Pas arrestimit, katër prej grabitësve janë dërguar në mjediset e policisë së kryeqytetit, ku janë marrë në pyetje për ngjarjen e mbrëmshme, por edhe për goditje të mëparshme që dyshohet t’u kenë bërë bizneseve në kryeqytet. Agjentët e GOS-it ishin përfshirë në këtë operacion për të arrestuar njërin prej grupeve më të njohur të grabitësve në Tiranë, aktiviteti i të cilëve mbetet për t’u verifikuar gjatë ditëve të ardhshme.