E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e Konomit, ja vendimi i Gjykatës së Tiranës që ngrin 257 ha

SHKRUAN: Leonard Bakillari 15-09-2011 10:59

Tiranë Pista e pronave, e kthyer tashmë në boshtin kryesor të hetimeve për vrasjen e Skerdilajd Konomit, vazhdon të komplikohet nga dita në ditë. Hetuesit janë përqendruar tashmë në dy kallëzimet penale, që palët pretendente për 275 hektarë tokë kanë bërë respektivisht në Prokurorinë e Tiranës dhe atë të Durrësit. Por kjo çështje është pasuar së fundmi nga një vendim i papritur i Gjykatës së Tiranës, i cili ngrin përkohësisht hipotekimin e një sipërfaqeje prej 58 hektarësh në Gjirin e Lalzit. Kërkesa me objekt “sigurimin e padisë” është depozituar në Gjykatën e Tiranës më datën 9 gusht nga trashëgimtarët e familjes Toptani dhe vetëm katër ditë më vonë, gjyqtarja e gatshme ka vendosur ta pranojë atë, duke urdhëruar pezullimin e çdo veprimi juridik që ka të bëjë me këtë pronë. Toka në fjalë, e cila kap një sipërfaqe totale prej 275 ha, ndodhet në zonën e Gjirit të Lazit dhe ka si pretendentë trashëgimtarët e fisit Toptani dhe pasardhësit e Miltiadh Shallvarit. Prona, e cila vazhdon të mbetet pa pronar, duket se kohët e fundit ka ngjallur një përplasje juridike mes dy fiseve pretendente, të cilët i janë përgjigjur njëri-tjetrit me padi dhe kundër-padi, në Gjykatë dhe Prokurori. Rasti më i fundit është kërkesa e 9 gushtit, e cila ka marrë zgjidhje pozitive nga gjykata në favor të Toptanëve. Objekti zyrtar i kësaj çështjeje ka të bëjë me caktimin e masës së sigurimit të padisë, duke pezulluar deri në përfundim të padisë së themelit kryerjen e veprimeve juridike që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronës. Në objekt përfshihet edhe pezullimi i kryerjes së veprimeve pranë hipotekës, çka do të thotë ngrirjen e përkohshme të hipotekimit të kësaj prone, e cila ka dy familje pretendente. Një nga zonat kadastrale ku ndodhen pronat e ngrirë me vendim të shkallës së parë, është e njëjta me zonën kadastrale, të cilën familja e gjyqtarit të vrarë e ka fituar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë. Por burime të rezervuara pohuan për “Mapo”-n se prona e konfliktit ndodhet brenda sipërfaqes prej rreth 2 mijë hektarësh, që trashëgimtarët e familjes Shallvari fituan në qershor të këtij viti nga shkalla më e lartë e gjyqësorit. Duke qenë në këto kushte, pezullimi i veprimeve juridike për sipërfaqen e tokës që ndodhet në brendësi të kësaj prone, automatikisht ndalon hipotekimin e sipërfaqes prej 1127 ha tokë, që gjyqtari Konomi arriti të fitojë rreth tre muaj para se të vritej. Nga ana tjetër, për sipërfaqen ende të paprekur të tokës ka pretendime nga trashëgimtarët e familjes Shallvari, ku përfshihet edhe familja e gjyqtarit të vrarë, por edhe nga fisi që ka bërë padinë e Gjykatën e Tiranës. Por kjo çështje gjithashtu është edhe në proces hetimor nga ana e Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Durrësit. Në kallëzimin penal që trashëgimtarë të familjes Shallvari kanë bërë në prokurori pretendohet se pala kundërshtare, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kërkon të marrë sipërfaqen prej 275 ha tokë në zonën e Gjirit të Lalzit. Ky pretendim ka rezultuar i vërtetë nga hetimet e deritanishme, pasi një nga fletët e regjistrit që jep të dhëna mbi pronësinë ka vula dhe shenja dalluese të ndryshme nga fletët e tjera të regjistrit. Gjithashtu, pala pretendente për këtë tokë ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit ku pretendon se trashëgimtarët e familjes Shallvari kanë ngritur pretendime mbi këtë sipërfaqe toke nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar. Tashmë, çështja duket se është “zgjidhur” nga Gjykata e Tiranës, e cila ka vendosur të ngrijë momentalisht këtë tokë, deri në zgjidhjen e çështjes në themel. Ky vendim i marrë më 13 gusht, (gjatë pushimeve të gjykatës) ka pasuar një padi me objekt detyrimin e AKKP-së të marrë vendim për sipërfaqen prej 275 ha tokë, e cila ka dy pretendentë dhe dy çështje penale paralele.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›