Shehi: Me polin e ri, edhe legalistët, edhe çamët
“Lëvizja përmban bërthamën e asaj që duhet të jetë ndryshe, e drejta për të kontestuar dhe për të thënë gjëra që duhet të thuash”
TIRANË- Ashtu siç është paralajmëruar, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, do të jetë pjesë e polit të ri, që pritet të krijohet së shpejti brenda së djathtës. Në një prononcim për “Shekulli”-n, Shehi ka sqaruar atë, çka në të vërtet ky pol përfaqëson dhe çfarë synon të sjellë në skenën politike shqiptare. Duke e pranuar se paraprakisht kjo është një marrëveshje në princip dhe ende jo konkrete, Shehi theksoi se kjo do të jetë lëvizja më e gjerë dhe më gjithëpërfshirëse. Ashtu si Ngjela dhe Ndoka, edhe Shehi ka pranuar dje për gazetën se është negociuar midis tyre për të krijuar një pol të ri të djathtë, duke synuar në të njëjtën kohë që, pjesë e saj, të jenë edhe të gjithë ata që nuk e gjejnë veten të përfaqësuar në politikë, e aq më shumë tek e djathta në pushtet. “Ideja është që të bëhet një pol i djathtë gjithëpërfshirës, ku do të përfshihen edhe parti të tjera, si Partia e Ballit Kombëtar, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia e Komunitetit Çam, e shumë faktorë dhe aktorë politikë e socialë, që janë në Shqipëri, të cilët duantë identifikohen përreth një programi, dhe jo përreth një partie apo një personi të vetëm. Këtë e konsideroj mjaft pozitive, sepse ka shumë njerëz të papërfaqësuar politikisht, shumë njerëz të pakënaqur nga kjo qeverisje dhe do të ishte një fatkeqësi e madhe që të kishim një apati dhe amnezi politike, që nuk do t’u shërbente as shqiptarëve dhe as të djathtës”, -tha ai. Shehi nuk e sheh këtë pol të ri si një lëvizje kundër Kryeministrit Berisha, por si një element, që i shërben politikës në vend, sepse, sipas tij, e djathta nuk është kurrsesi domeni i Berishës. “Nuk është për kundërshtarë, por si një alternativë, si një oponencë dhe do t’i shërbente realisht politikës së sotme dhe të djathtës, në qoftë se do të donte të rikonfirmohet në pushtet. Në radhë të parë, ajo do t’u shërbente njerëzve, shtetit shqiptar, pasi do të hapte një dialektikë të brendshme brenda qendrës së djathtë, që sot i mungon. Unë do të thosha që, në fund të fundit, këto janë normale në politikë. Edhe kundërshtimet, edhe lufta. Në fund të fundit, e djathta në Shqipëri nuk është domeni i Berishës dhe as oborri i tij. Është një hapësirë ku çdo kush, pra çdo aktor, duhet të gjejë vendin e vet dhe duhet të marrë maksimumin e votave, gjë që LZHK-ja e ka bërë prej vitesh. Unë personalisht kamruajtur profilin tim dhe kjo do të vlejë këtë radhë dhe do të konfirmohet. Jashtë kësaj alternative, unë nuk besoj se as PD-ja, e aq më pak Berisha, ka hapësirë për të fituar,”- tha Shehi. Kryetari i LZHK-së, Shehi, nuk e fshehu mundësinë, që kësaj lëvizjeje t’i bashkohen edhe figura brenda së djathtës aktuale. Ai theksoi se ky pol i ri nuk reflekton ideale, por mundësinë e një mendimi ndryshe, që sot nuk ekziston. “Unë nuk jam një njeri që merrem me çështjet e brendshme të Partisë Demokratike. Jam i bindur se, si gjithmonë, do të ketë një disidencë të brendshme, e cila ka nevojë për një strehë politike, ta quajmë, dhe ka nevojë për mundësi organizimi, të cilën unë nuk e shoh brenda PD-së sot për sot. Kështu që, besoj dhe shpresoj që shumë zëra që sot përbëjnë zëra opozitarë dhe desidencë, e mendim ndryshe apo alternativ, do të vijnë të rreshtohen brenda kësaj lëvizjes sonë të re. Jo se kjo lëvizje në vetvete ka idealizmin më të mirë dhe njerëzit më të mirë, por se përmban bërthamën e asaj që duhet të jetë ndryshe, e drejta për të kontestuar dhe drejta për të thënë gjëra që duhet të thuash”,- tha Shehi.