Takimi Byhler-Stefanoviç pa marrëveshje

Përfundoi në orët e vona të së enjtes takimi mes komandantit të KFOR-it, Erhard Byhler dhe zyrtarëve të qeverisë serbe, takim ky që synonte zhbllokimin e situatës së tensionuar në Veri të Kosovës.
Sipas mediave kosovare pas takimit asnjëra palë, si KFOR-i ashtu edhe pala serbe, nuk janë prononcuar por përflitet se nuk ka patur asnjë marrëveshje.
Komandanti Byhler dhe përfaqësuesit e qeverisë serbe biseduan për arritjen e një marrëveshje që do të zhbllokonte kalimet në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Bisedimet e mbajtura sot synonin të shtonin disa pika të tjera shtesë marrëveshjes së arritur ditën e mërkurë mes komandantit Byhler dhe kryenegociatorit serb, Stefanoviç.
Pikat shtesë janë kërkuar nga qeveria e Prishtinës. Vetë kryeministri Thaci i ka propozuar ato komandantit Byhler gjatë takimit që pati me të paraditen e djeshme.