OSBE insiston për regjistrimin në Shqipëri

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, ka apeluar nga qyteti i Përmetit për domosdoshmërinë e regjistrimit të popullsisë, ndërsa ka ftuar qytetarët të bëhen pjesë e këtij procesi.
“Qytetarët të marrin pjesë në regjistrim, pasi ai ka vlera për zhvillimin e tyre. Regjistrimi është një proces i rëndësishëm edhe për zhvillimin e vendit”, tha ambasadori gjatë një takimi me kryetarin e Bashkisë së Përmetit, ndërsa ka pasur takime edhe në Himarë.
Ndërkohë Aleanca Kuq e Zi hodhi akuza të reja mbi shtetin grek, në lidhje me ndikimin mbi ligjin e regjistrimit të popullsisë shqiptare mbi baza etnike e fetare.
Kjo lëvizje bën me dije sot se ka vërtetuar akuzat e ngritura edhe më herët, se prapa ligjit për regjistrim qëndron Greqia, madje shton se Parlamenti grek ka kërkuar të ketë edhe përfaqësues gjatë procesit të regjistrimit.
“Athina ka kërkuar 5 herë regjistrim etnik në Shqipëri, ndërsa Parlamenti grek kërkon të ketë vëzhgues gjatë këtij procesi. Presim që ministri i Inovacionit, Genc Pollo, t’i përgjigjet kësaj kërkese. Pse hesht Genc Pollo?”, thuhet në deklaratën e AK.