E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, Kryeprokurorja Rama njeh Grosson me ekzekutimet

18/03/2010 Diskutohet transferimi i të dënuarve shqiptarë në Shqipëri e operacionet mes 2 vendeve

TIRANE- Ashtu, siç ishte paralajmëruar Kryeprokurorja Ina Rama ka takuar dje kreun e antimafias italiane Piero Grasso, me të cilin kanë diskutuar për njohjen e vendimeve të gjykatave italiane dhe ekzekutimin e tyre. Nisur nga kjo kërkesë e vazhdueshme e autoriteteve italiane, prokurorja Rama e ka njohur Grasson me një sërë operacionesh që kanë pasur si qëllim arrestimin e shtetasve të dënuar për vepra të ndryshme penale nga drejtësia e shtetit fqinj. Aktualisht shumë nga këta shtetas vazhdojnë të qëndrojnë të lirë, pasi deri më tani prokuroria dhe policia shqiptare ende s’kanë marrë masat konkrete për ndalimin e tyre. Veç disa rasteve ku janë arrestuar individë të ndryshëm, për vitin 2009 lista me 210 të kërkuarit shqiptarë ende nuk është përgjysmuar. Gjatë diskutimit mes Kryeprokurores shqiptare dhe atij të antimafies italiane rëndësi i është kushtuar edhe disa hetimeve që po ndiqen në mënyrë paralele mes të dy prokurorive ndaj disa prej grupeve kriminale të trafikut të drogës që operojnë në të dyja anët kufirit. Pas operacionit të fundit ku u arrestuan 36 trafikantë në katër shtete, të dyja prokuroritë kanë paralajmëruar në publik goditje të tjera ndaj trafiqeve, kryesisht atij të narkotikëve. Mësohet se ekzekutimi i shpejtë i letër-porosive ka qenë një tjetër pikë e diskutimit, ku palët ranë dakord që bashkëpunimi në këtë drejtim të thellohet akoma më tepër. Gjithashtu një nga temat e prekura në takimin mes Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe prokurorit kombëtar të antimafies italiane Piero Grasso ishte mundësia e transferimit të disa shtetasve të dënuar nga shteti italian, për të vuajtur dënimin e mbetur në Shqipëri. Kjo gjë do t‘i jepte mundësi të burgosurve që të takojnë njerëzit e tyre të afërt, pasi në Itali takimet me familjarët ata i kanë shumë të rrallët. Në fund të takimit dy palët ranë dakord për ratifikimin e marrëveshjes mbi ekstradimin e shtetasve, marrëveshje e nënshkruar kjo nga qeveritë respektive që prej muajit dhjetor të vitit 2007. Brenda një viti e gjysmë, kjo është vizita e dytë e kreut të antimafies në Shqipëri. Qëllimi i këtyre vizitave është rritja e bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese shqiptare, për luftimin e krimit të organizuar që vepron në dy shtetet respektive.

Pikat e diskutuara

• Njohja e vendimeve italiane

• Ratifikimi i marrëveshjes së ekstradimeve

• Hetimi i përbashkët i grupeve kriminale

• Ekzekutimi i shpejtë i letër-porosive

• Transferimi në Shqipëri i të dënuarve shqiptarë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›