E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, Borrell: Pres të gjejnë gjuhën e përbashkët

Është mbajtur takimi i dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë në Bruksel. Lajmi është bërë me dije nga shefi i politikës së Jashtme dhe të Sigurisë i  Bashkimit Evropian, Josep Borrel, i cili ka publikuar në rrjetin social Twitter foto nga takimi me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Borrell deklaron se tensionet e shënuara më 31 korrik në veri të Kosovës treguan se është koha për të ecur drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai pret që Vuçiç dhe Kurti të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Sot në mëngjes po thërras takimin e Dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët”, shkruan Borrell.

Një ditë para takimit me Borrell, më 17 gusht, Kurti dhe Vuçiç u takuan me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg, i cili gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve që “të veprojnë me përmbajtje dhe të shmangin retorikën e padobishme”.

Edhe Presidenti Vuçiç ka publikuar në rrjetin social Instagram disa foto nga takimi në Bruksel.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›