E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi Ruçi-Patozi, brenda javës. Asnjë zgjidhje për fletët

Negociatat mbërrijnë në ‘kufijtë maksimalë’. Rezoluta e PE-së, në varësi të kompromisit PS-PD

Raundi ‘final’ i negociatave do duhet që të mbahet detyrimisht brenda kësaj jave. Edhe pse burime nga të dyja partitë kryesore në vend nuk përcjellin shumë optimizëm rreth mundësive të arritjes së një kompromisi, formalisht një takim i dytë zyrtar Ruçi–Patozi do duhet që të ndodhë këto dy ditë. Ky kufi lidhet me përfundimin e punimeve të sesionit parlamentar, që është edhe korniza institucionale e bisedimeve të tanishme, prej nga ku do të vihet në lëvizje edhe hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Demokratët

Partia Demokratike pritet në këto negociata të dëgjojë edhe opsionet e socialistëve për sa i përket mënyrës së gjetjes së një zgjidhjeje për fletët e votimit. Burimet bëjnë të ditur se gjatë takimit të parë që kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i ka bërë të qartë homologut të tij, Gramoz Ruçi, modalitetet që PD pranon për çështjen e kutive të votimit. Patozi ka theksuar se PD nuk pranon që Komisionit të Venecias t’i drejtohen për shqyrtimin e kësaj çështjeje institucione si Parlamenti i Shqipërisë, apo Presidenti i Republikës. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së ka theksuar se e vetmja rrugë ligjore është që PS t’ia çojë njëherë për shqyrtim kërkesën për hapjen e kutive Gjykatës Kushtetuese në vend dhe më pas kjo gjykatë të vendosë nëse ka nevojë t’i merret një rekomandim Komisionit të Venecias për këtë çështje, apo jo. Nga ana tjetër, për sa u përket fletëve të votimit, PD vijon të theksojë qëndrimin e saj të hershëm, sipas të cilit për çdo rast të dyshuar PS-ja mund t’i drejtohet gjykatave të vendit, ashtu siç ka ndodhur në rastin e Ruzhdies. Ajo që demokratët sigurojnë, lidhet me faktin se ata janë të gatshëm të shqyrtojnë në komisionin hetimor materialet e kutive të votimit, për çdo zonë të kërkuar nga socialistët. Po kështu, përveç fletëve të votimit, PD nuk përjashton asnjë objekt tjetër hetimi për sa u përket zgjedhjeve në këtë komision.

Socialistët

Kompromisi i kërkuar nga Partia Socialiste lidhur me hetimin parlamentar të 28 qershorit kalon në çdo rrethanë nga këqyrja e fletëve të votimit. Mbërritja në këtë raund, ndoshta final të negociatave, nuk e ka zbehur aspak këmbënguljen e PS-së rreth këtij pretendimi, ndaj të cilit formalisht shumica e djathtë kundërshton vetëm procedurën e dërgimit për vlerësim në Komisionin e Venecias. Kështu, sipas burimeve nga selia rozë, parimisht PD nuk e kundërshton gjykimin e Komisionit të Venecias për hapjen ose jo të kutive të votimit, por ajo refuzon ta vërë atë në lëvizje pa ndërmjetësimin e gjykatave shqiptare. Versioni i njohur i “Gjykatës Kushtetuese” qëndron aktualisht në tryezën e bisedimeve si një nga opsionet e kompromisit, për të cilin sipas të njëjtave burime, selia rozë nuk ka vënë veton. Të mbetura mes presionit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm, që ndihet i lodhur nga kriza që vazhdon prej 1 viti, diskutimi në këtë pikë vetiu është transformuar në pjesë thelbësore, edhe pse është i vetmi në pikën ku kanë arritur negociatat. Ajo që duket si një mundësi për përafrim qëndrimesh është fakti se hetimi parlamentar i drejtuar nga opozita dhe me një komision ku ajo ka shumicën, vetëpërkufizohet si një shans i mirë për të maksimalizuar objektivat hetimore. Kufizimi i afateve për marrëveshje e bën përmbajtjen e propozimeve, që aktualisht presin firmën e dy partive kryesore, një lëndë të detyruar kompromisi, e cila deri më tani qëndron ironikisht e lidhur me rolin e Gjykatës Kushtetuese si hallkë e ndërmjetme drejt Venecias, por që do ta zgjidhte konfliktin politik.

Fatjona Mejdini, Skerdilajd Zaimi

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›