Kokonozi, në një ekspozitë personale
Piktori i njohur Shkëlqim Kokonozi vjen me një ekspozitë personale në galerinë “DidArt”. Pas disa ekspozitave të përbashkëta të suksesshme, Shkëlqim Kokonozi ka vendosur t’u flasë më vete artdashësve. Ai paraqitet para publikut me rreth 14 punë në gjininë e peizazhit, portretit dhe kompozimit, të realizuara në vaj në kanavacë. Kokonozi njihet për stilin e tij të veçantë në realizimin sidomos të portreteve, ku figura vjen e abstraguar dhe shpreh një pikëvështrim ndryshe të autorit. Të 14 pikturat janë të realizuara gjatë vitit 2010 dhe vijnë për herë të parë për publikun. Ekspozita çelet sot dhe do të qëndrojë e hapur për dashamirësit deri më datë 10 gusht. Para kësaj ekspozite vetjake, Kokonozi u shfaq për publikun me një ekspozitë të përbashkët me piktorët Kujtim Buza dhe Adrian çene. Ata sollën për publikun vepra që i përkisnin kryesisht gjinisë së peizazhit dhe portretit të realizuara në vitin 2009.
#