E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi Thaçi-Daçiç, palët bien dakord për autostradën Prishtinë-Nish

BRUKSEL - Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, nën ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Kryeministri Thaçi ka thënë se në takim është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se theks i veçantë i është kushtuar Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).

Për këtë të fundit, Thaçi ka thënë se është arritur pajtim që të flitet sërish në muajin dhjetor, kur edhe ka shfaqur shpresën se do të nisë të zbatohet.

Duke folur në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, kryeministri ka thënë se është ngritur edhe domosdoshmëria e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur të luftës.

Thaçi ka thënë se është biseduar edhe për strukturat e Serbisë në Kosovë. Ai ka thënë se ka kërkuar që të bëhen transparente të gjitha mjetet materiale që Serbia jep për strukturat në veri, ashtu si edhe shuarjen e tyre.

“Ka struktura kriminale që mbajnë peng dhe të frikësuar qytetarët. I gjithë angazhimi ynë për veriun do të jetë në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri e ka vlerësuar takimin e së mërkurës në Bruksel si tejet konstruktiv dhe ka thënë se ka qenë më substancial se takimi i parë.

Takimi i parë në mes të Thaçit dhe Daçiçit është zhvilluar më 19 tetor, po ashtu nën praninë e baroneshës Ashton.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se është arritur pajtim për takime të tjera, ndërsa data e tyre do të caktohet nga kryediplomatja evropiane.

Takimet kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

(a.k/ge/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›