E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaji i makinave, vetëm në servise të licencuara

TIRANE-Vaji i makinave nuk do mund të ndërrohet më në çdo servis automjetesh, por vetëm nëpër subjekte të autorizuara e të licencuara në asgjësimin e vajrave të përdorura motorike e industriale. Një vendim i djeshëm i qeverisë përcakton se vajrat e përdorura motorike (VP), si substanca të rrezikshme për mjedisin e shëndetin e popullatës, do të transportohen, magazinohen e trajtohen vetëm nga subjekte të pajisura me “licencën III.2.B, për transportimin, rikuperimin dhe/ose asgjësimin e vajrave të përdorur”. “Ky vendim zbatohet për të gjithë vajrat lubrifikantë, të lëngshëm apo gjysmë të lëngshëm, me bazë minerale a sintetike, që janë kthyer në të pavlefshëm për qëllimin për të cilin janë prodhuar, pasi janë përdorur nga çdo lloj motori, pajisjeje e makineri që punon me to, si dhe nëse kanë skaduar në magazina apo pika shitjeje”, specifikohet në nenin 1 të kreut II të vendimit qeveritar.
Ndërrimi vetjak
Vendimi përcakton madje hapa strikte për t’u respektuar nga çdo individ që vendos t’ia ndërrojë vetë vajin automjetit që ka në pronësi. “Kur krijuesi i VP-ve është person që ka në përdorim vetjak automjete dhe kur ndërrimin e vajit e bën vetë, vajin e përdorur e depoziton në enë të veçanta dhe e dorëzon te subjekti që është pajisur me licencën III.2.B, për transportimin, rikuperimin dhe/ose asgjësimin e VP-ve”, shkruhet në një nga pikat e vendimit qeveritar. Krijuesi i VP-ve është përgjegjës për mbetjen në tërësinë e saj derisa e dorëzon atë tek zotëruesi i licencuar i VP-ve, duke e shoqëruar me dokumentin e dorëzimit.
Prodhuesit e vajrave
Ndërkaq vendimi parashikon edhe licencimin e prodhuesve të autorizuar, të cilët do të detyrohen me ligj të grumbullojnë të paktën 80% të vajrave që shesin. “Objektivi minimal i detyrueshëm për grumbullimin, rigjenerimin dhe rikuperimin e vajrave të përdorur nga çdo prodhues, deri në datën 31 dhjetor 2014, është jo më pak se 80% e sasisë mesatare të vajrave të tregtuar nga secili prodhues”, përcaktohet në vendim. Ndërkaq, vajrat e përdorura që dorëzohen nga krijuesi i VP-ve tek zotëruesi i tyre shoqërohen me dokumentin e dorëzimit për çdo transfertë.

Të dhënat për VP-të sigurohen nëpërmjet dokumenteve të dorëzimit dhe regjistrohen në regjistrin e VP-ve, që mban dhe plotëson çdo zotërues i tyre, ku jepen të dhëna për sasinë, cilësinë, origjinën dhe vendin e këtyre VP-ve, si edhe largimin e tyre e marrjen në dorëzim, me datat përkatëse. Zotëruesit e VP-ve në fund të çdo viti kalendarik i raportojnë të dhënat e regjistrave të VP-ve në agjencinë përkatëse rajonale të mjedisit dhe në njësinë e qeverisjes vendore. “Prodhuesi i vajrave, për produktet që hedh në treg pas datës 31 dhjetor 2014 financon të paktën grumbullimin e diferencuar, trajtimin, rikuperimin dhe asgjësimin e sigurt, nga pikëpamja e mjedisit, të VP-ve”, përcaktohet në vendim.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›