Takimi Thaçi-Daçiç mbyllet me sukses, arrihet dakortësia për disa çështje
Bruksel- Takimi pesë orësh midis kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç deri në orët e para të mëngjesit ka rezultuar me rezultate konkrete.
Siç transmeton REL-i, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton deklaroi mbrëmë se dy kryeministrat në darkën e punës në selinë e KE-së në Bruksel që ka vijuar me bisedime deri në orën 03.00 të mëngjesit të së premtes ka përfunduar me marrëveshje për disa çështje.
Thaçi dhe Daçiç, zgjidhën detajet për disa çështje të hapura në fushën e drejtësisë, policisë dhe rreth zhvillimet të zgjedhjeve lokale në vjeshtë.
Baronesha Ashton tha se në këto negociata është analizuar progresi i deritashëm dhe se ka progres konkret drejt normalizimit të raporteve.
Është bërë punë e mirë dhe është arritur progres konkret. Kryeministrat sot shkuan tutje dhe u pajtuan për një varg çështjesh të hapura, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe zgjedhjeve të ardhshme komunale,- tha Ashton.
Takimi është zhvilluar para takimit të liderëve të BE-së, i caktuar për javën e ardhshme më 28 qershor, për të vlerësuar nëse është arritur mjaft progres në pajtimin e palëve, në mënyrë që Serbia të merr datën e anëtarësimit në BE, dhe që Kosova të nis negociatat për paktin e stabilizimin asociimit.
Në saje të takimit të Këshillit çtë ministrave dhe Këshillit Evropian javën e ardhshme, unë do të njoftoj vendet anëtare të BE-së për progresin dhe zbatimin e marrëveshjes,- ka thënë Ashton në një deklaratë që lëshoi pas takimit.
Darka e punës në Bruksel që nisi në orën nëntë të mbrëmjes të enjten, ka mbaruar rreth orës 3 pas mesnate.
Edhe përkundër lajmërimeve, palët nuk arritën që gjatë asaj kohe të pajtohen për temat e telekomit dhe energjetikës.
Kryeministri Hashim Thaçi tha pas takimit se ka pajtueshmëri të përgjithshme për zgjedhjet komunale që do të zhvillohen në vjeshtë reformën, mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, periudhat kohore, e në të njëjtën kohë që do të ftohet edhe OSBE-ja si lehtësuese, menaxhuese dhe organizuese e këtyre zgjedhjeve.
Kemi vazhduar së diskutuara edhe sa i përket policisë, mundësisë së emërimit të shpejt të komandantit regjional në Mitrovicë, që duhet të punoj sipas ligjit dhe standardeve kosovare. Kemi shënuar progres edhe në ligjin për amnisti, megjithëse të dy ministrat e drejtësisë janë duke vazhduar së diskutuari, edhe me ekipet e tyre profesionale që ta përmbyllin sonte përfundimisht,- tha ai.
Kështu që lirisht mund të them se ka qenë një takim i vullnetit të mirë, të ecjes përpara, dhe i implementimit të marrëveshjes së 19 prillit, ndërsa jemi dakorduar në të njëjtën kohë që takimi i radhës të mbahet në nivel të kryeministrave më 8 korrik, theksoi kryeministri Thaçi.
Delegacioni serb nuk është prononcuar pas takimit, transmeton REL.
Bisedimet do të vazhdojnë në nivel të kryeministrave më 8 korrik, ndërsa grupet punuese do të vazhdojnë punën në temat e energjetikës dhe telekomit gjatë ditës së sotme, dhe ditëve të ardhshme