E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi Topi-Ivanov: Qarqeve të caktuara u intereson destabilizimi i rajonit

Ivanov-Topi

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi gjatë takimit me homologun e tij maqedonas Gjorge Ivanov ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje. Topi dhe Ivanon duke folur për vrasjen e pesë personave, ngjarje e cila ka krijuar tension ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, u shprehën se për zbardhjen e ngjarjes duhet të flasin institucionet përkatëse dhe se nuk duhet paragjykuar.

“Institucionet përkatëse janë ato që duhet të zgjidhin këtë rast, tha Topi. Çdo refleks nacionalist apo ultranacionalist, dhe aq më shumë ndonjë klimë paragjykuese do të ishte shumë e dëmshme për harmoninë mes qytetarëve midis shqiptarëve dhe maqedonasve dhe harmoninë në rajon. Çdo akt destabilizues, çdo akt kriminal duhet të konsiderohet si i tillë dhe duhet patjetër të vendoset në linjën e hetimit dhe dhënies së drejtësisë sipas standardit ligjor. Çdo klimë paragjykuese është e papranueshme, shtoi presidenti shqiptar.

Në këtë linjë foli edhe Ivanon, duke theksuar se institucionet shtetërore në këtë situatë po veprojnë me përgjegjësi të lartë dhe se një gjë të tillë pret edhe nga subjektet e tjera në shoqërinë e këtij vendi.

Ivanon ka shtuar se ky tension po nxitet nga qarqe të caktuara të cilët janë të interesuar për të destabilizuar rajonin. Është më se e qartë se dikush nuk është i interesuar që rajoni të përparojë dhe të përmirësohet gjendja në çdo plan. Pra, presim që institucionet të bëjnë punën e tyre pasi është në interesin e të gjithëve që ky rast të zbardhet sa më shpejt, pasi ata që e kanë bërë këtë vepër mizore, mund këtë ta bëjnë edhe në ndonjë vend tjetër, deklaroi presidenti maqedonas. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›