E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi me Jahjagën, Nikoliç: Të mos flitet për Kosovë të pavaruar

Të tjera rreth shkrimit Berisha e Nishani: Takim historik PDF / Deklarata e Baroneshës Ashton BRUKSEL - Të mërkurën në Bruksel u realizua për herë të parë takimi mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Por pavarësisht përgëzimeve të ardhura nga kreu i shtetit, Bujar Nishani e Kryeministri Berisha mbi këtë takim të cilët e cilësuan hap historik drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, vetë Nikoliç nuk është shprehur entuziast, madje ai ka deklaruar për televizionin serb B92 se nëse Kosova do të vazhdojë të këmbëngulë për pavarësinë e saj, atëherë dialogu nuk mund të lëvizë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët. Nga ana tjetër, Baronesha Ashton në një deklaratë për mediat pas takimit, u shpreh se “javët e ardhshme do të jenë kritike”, por pa përcaktuar arsye konkrete.

Takimi i cili në masë u pa si një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, ka sjellë në fakt deklarata kontradiktore. Kjo pasi, ndryshe nga homologu i saj, Jahjaga e ka konsideruar këtë takim si hapjen e një kapitulli të ri.

Takimi i tre personaliteteve në zyrën e Baroneshës, u parapri nga takime në veçanti që Ashton realizoi me presidentin serb Nikoliç, e më tej me Jahjagën.

TAKIMI
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe homologu i saj serb, Tomislav Nikoliç realizuan në Bruksel takimin e parë mes tyre, të ndërmjetësuar nga shefja e Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Takimi mes liderëve të Kosovës e Serbisë është parë në masë si një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Takimi, i cili përfundoi rreth orës 19:00 të pasdites së sotme, zgjati përreth 40 minuta dhe u parapri nga takimet e veçanta të baroneshës Ashton me secilin prej tyre.

Catherine Ashton u takua fillimisht me presidentin serb Tomislav Nikoliç dhe më pas diskutoi me Presidenten e Kosovës Atitefe Jahjaga. Takimi u konkludua kur të tre personalitetet u takuan në zyrën e Ashton.

Në një deklaratë për shtyp pas takimeve të veçanta me secilin prej tyre, Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Siguri në BE, baroneshës Ashton theksoi se qëllimi i takimit mes Nikoliç dhe Jahjaga do të jetë forcimi i dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi rajonal janë pjesë të rëndësishme e kritereve të përcaktuara nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe ky është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim”, -përfundoi zëdhënësja Koçijançiç.

ASHTON: JAVET NE VIJIM, KRITIKE
Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, që ka ndërmjetësuar takimin ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, përmes një deklarate për mediat ka thënë se në takim u trajtuar çështja e veriut të Kosovës, ndërsa theksoi se “javët e ardhshme do të jenë kritike”, por pa përcaktuar arsye konkrete.

“Unë takova në Bruksel, presidentin Nikoliç dhe presidenten Jahjaga në frymë e normalizimit të marrëdhënie mes Prishtinës dhe Beogradit. Pasi i takova ata në veçanti, unë pata po ashtu një takim të përbashkët me dy presidentët, në një atmosferë mjaft konstruktive. Ne kemi biseduar për dialogun aktual mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç”, deklaroi Ashton.

“Të dy presidentët, Nikoliç dhe Jahjaga më kanë siguruar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për dialogun dhe për axhendat respektive evropiane”, u shpreh Ashton.

PDF / Deklarata e Baroneshës Ashton 

JAHJAGA: TAKIMI ME NIKOLIC, HAPJE E NJE KAPITULLI TE RI
Mediat kosovare shkruajnë se Presidentja Jahjaga e ka vlerësuar takimin me homologun serb, si një takim të parë dhe të barabartë në marrëdhëniet mes dy shteteve. Jahjaga është shprehur se takimi me Nikoliç është hapje e një kapitulli të ri.

“Është hapje e kapitullit të ri në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane”, tha Jahjaga para gazetarëve, shkruan Rel.

NIKOLIC: OK DIALOGUT, POR MOS KEMBNGULNI ME PAVARESINE
Nga ana tjetër, presidenti serb, Tomislav Nikoliç është shprehur në takimin me Jahjagën, ndërmjetësuar nga Baronsha Ashton, se dialogu nuk mund të çojë në zgjidhjen e përbashkët nëse Kosova vazhdon të këmbëngulë për pavarësinë e saj.

“I kam thënë se po qe se këmbëngulë se Kosova është shtet i pavarur, dialogu nuk mund të lëvizë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët, e cila do të mundësonte jetë më të mirë dhe anëtarësim në BE”, u shpreh Nikoliç për televizionin serb B92 në Bruksel.

Ai ka shtuar se nga rrëfimet e librave për të drejtat e njeriut dhe për jetë më të mirë në anëtarësim në BE, Jahjaga ka insistuar me ngulm se dy shtetet e pavarura duhet të bashkëpunojnë sa më mirë dhe të harrojnë konfliktet e së kaluarës.
“Takimi si njoftim ka qenë i dobishëm, por nëse nuk gjejmë tema të përbashkëta, ndaj të cilave do të kemi qëndrime të ngjashme, nuk shoh arsye për takime tjera”, është shprehur Nikoliç, raporton Radio Evropa e Lirë.

Jahjaga, takoi në Bruksel edhe zyrtarë të tjerë të BE-së, përfshirë presidentin e Komisionit Evropian, Herman van Rompuy.

Në takim me të, Jahjaga foli për situatën në Kosovë dhe procesin e integrimit të vendit. Presidentja bisedoi edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe zëvendës-ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker, të angazhuar për çështje të Evropës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›