BB propozon model të ri ekonomik, Bode: “Nuk ka planifikim”
Ervin KOÇI
“Shqipëria mund të ruajë ritmet e rritjes ekonomike në të ardhmen përmes zbatimit të një modeli të ri politikash dhe reformash të fokusuara kryesisht në arsim, aftësitë, zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, sektorit të energjisë dhe një qeverisjeje më të mirë e zbatimit të ligjit”. Kështu thuhet në një raport të botuar së fundmi nga Banka Botërore dhe që u prezantua dje në Tiranë nga përfaqësuesit e BB-së përpara një auditori të gjerë ekspertësh të ekonomisë. Raporti i titulluar “Një axhendë e re e rritjes ekonomike”, dhe që njihet edhe si “Memorandumi Ekonomik për Shqipërinë”, është rezultat i një pune të gjerë kërkimore dhe analizash të kryera nga Banka në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtare dhe shqiptarë. Raporti eksploron burime për rritjen e ardhshme ekonomike ndërkohë që Shqipëria hyn në një fazë të re zhvillimi. Veç analizës së burimeve të rritjes, raporti përshkruan nevojat e kapitalit njerëzor duke u përqendruar tek arsimi dhe aftësitë. Në të gjithashtu shqyrtohen zhvillimet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Raporti gjithashtu, trajton klimën e investimeve dhe faktorët që ndikojnë mbi rezultatet e investimeve. Me tej, raporti propozon masa për mbajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe ndalet në sfidat e rritjes për Shqipërinë si një nga vendet në nivelin e sipërm me të ardhura të mesme.
Qeveria
Ministri i Financave ka shprehur për herë të parë në publik, qëndrimin e qeverisë në lidhje me debatin për modelin e ri ekonomik, të iniciuar fillimisht nga Banka e Shqipërisë dhe më pas edhe nga disa akademikë. “Qeveria rikonfirmon modelin e saj për rritjen e nivelit ekonomik në Shqipëri”,- u shpreh dje ministri Bode. Ai tha se, qeveria do i përmbahet filozofisë liberale dhe se nuk ndërhyn me modele të planifikuara në ekonomi. “Zhvillimin ekonomik ne ja lemë biznesit. Ajo që ne bëjmë është të mbështesim biznesin”,- u shpreh Bode. Këto deklarata ministri i Financave i bëri dje gjatë prezantimit të raportit të BB-së, ku evidentoheshin një sërë sfidash për të ardhmen e ekonomisë. Nga ana e saj Banka ka vlerësuar ritmin e rritjes ekonomike që ka pasur Shqipëria gjatë dekadës së fundit, që sipas këtij institucioni, “rritja ka qenë më e lartë se 5 për qind”.
Rritja ekonomike
Drejtoresha e BB-së, një prej institucioneve më të larta ekonomike në botë ka vlerësuar performancën e ekonomisë shqiptare gjatë 10 viteve të fundit duke u fokusuar kryesisht në kalimin me sukses të krizës ekonomike botërore. "Arritja e statusit mes vendeve në nivelin e sipërm me të ardhura të mesme brenda një kohe relativisht të shkurtër përbën një arritje të madhe për Shqipërinë, por njëkohësisht sjell dhe sfida të reja. Shqipëria përballoi me rritje ekonomike krizën botërore dhe kjo, duke i rezistuar në një formë më të mirë se vendet e tjera. Për të mbajtur ritmin e rritjes ekonomike, Shqipërisë i nevojitet një model politikash dhe reformash të bazuara në një vizion të fuqishëm në të ardhmen. Shqipëria ja ka dalë që brenda një kohe rekord të kalojë nga vendi i varfër në vende me të ardhura të mesme dhe të larta. Shumë pak vende në botë e kanë bërë këtë. Por nën statusin e ri do ju duhet të konkurroni dyfish edhe me vendet e varfra që kanë avantazh në rrogat e ulëta por edhe me ato të pasura të cilat kanë burime të mëdha financiare por edhe kapacitete për inovacione. Sikur kjo të mos mjaftonte tani flukset e kapitalit nga jashtë kanë rënë dhe konkurrenca për investimet është bërë më e fortë”,- u shpreh shefja e BB-së për Shqipërinë, Kseniya Lvovski.
Sfidat
Një tjetër sfidë, që Banka evidenton për Shqipërinë është mirëqeverisja, një tregues për të cilin vendi renditet në vendet e fundit në rajon. “Shqipëria ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar klimën e biznesit duke miratuar shumë ligje dhe rregullime për këtë. Megjithatë një pikë kritike për biznesin mbetet zbatimi i këtyre ligjeve”,- u shpreh Lvovski. Veç mirëqeverisjes banka evidenton edhe dy fusha të tjera që kërcënojnë rritjen ekonomike. Gjendjen e dobët të arsimit, por edhe ngërçin në teknologjinë e informacionit, ku ne të dyja këto fusha, Shqipëria renditet e fundit në rajon, me diferenca të theksuara me vendet e tjera.
BOX//////////////////////////////////////
Pa model zhvillimi, e ardhmja me pikëpyetje
Gjatë dekadës së fundit, Prodhimi i Përgjithshëm Bruto (PPB) në vend është rritur në mënyrë konstante mesatarisht me mbi 5% në vit dhe Shqipëria i ka mbijetuar trazirave të fundit globale në një formë më të mirë se shumë vende të tjera. Kjo performancë pozitive ka bërë të mundur që PBB-ja për kapital të dyfishohet që prej 1998-s dhe varfëria të përgjysmohet, duke u bërë kështu një vend me të ardhura të mesme në nivelin e sipërm të vendeve të këtij grupi. Këto arritje janë rezultat i një programi të rëndësishëm reformash strukturore. Shqipëria po integrohet gjithnjë e më shumë në sistemet globale të prodhimit që do të thotë një varësi më e madhe nga tregjet ndërkombëtare, teknologjia dhe kapitali. Prandaj është shumë e rëndësishme që Shqipëria t’i konsiderojë të gjithë këta faktorë dhe t’u përshtatet atyre. Ndërsa ofron një diagnozë të faktorëve kyç për rritjen në të ardhmen, raporti nuk tregon se cilët sektorë (bujqësia, turizmi, minierat, bankat, etj) duhet të zhvillohen, meqenëse këto janë vendime që do të merren nga investitorët privatë. Ndërkohë, roli i qeverisë është ai lehtësues për të hequr pengesat për investimet dhe ndihmuar me informacion dhe institucionet e nevojshme që firmat private të lulëzojnë.
Raporti është në vazhdën e raporteve të fundit të BB-së duke u përqendruar në analizat dhe rekomandimet që lidhen me cilësinë e kapitalit njerëzor përmes arsimimit dhe konsolidimit të infrastrukturës bazë (teknologjia e informacionit e komunikimit dhe energjia), të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për rritjen e ardhshme ekonomike. Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për përmirësimin e klimës së biznesit dhe hyrjen në BE duke përgatitur një numër të madh ligjesh dhe rregulloresh. Për t’i kompletuar këto masa, një çështje e rëndësishme për kompanitë është fakti se deri në ç’shkallë angazhohet qeveria dhe zbaton ligjet dhe rregulloret ekzistuese në një mënyrë konsistente dhe koherente. Raporti u prezantua nga një ekip ekspertësh të BB-së dhe u ndoq nga diskutime të frytshme të përfaqësuesve të qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat dhe donatorëve. Ky raport ka për qëllim të kontribuojë në debatin aktual të shoqërisë shqiptare mbi axhendën e re të rritjes së ardhme ekonomike në vend.
Reforma, METE: Çdo ministri të ketë vetëm 1 inspektorat
Numri i inspektorateve do të reduktohet dhe çdo ministri të ketë vetëm një të tillë. Kjo është reforma e re e paralajmëruar nga Ministria e Ekonomisë, publikuar dje në një takim me donatorët, ku u diskutua projektligji për Inspektimet. Nga ana e tij, zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo e konsideroi si një reformë madhore atë që qeveria ka ndërmarrë në sistemin e inspektimit në vendin tonë. Bozdo u shpreh se, Task Forca ka vendosur për hartimin e një projektligji horizontal për sistemin e inspektimeve, i cili parashikon reduktimin e numrit të inspektorateve dhe ngritjen e një Inspektorati Qendror, me funksion monitorues dhe vlerësues për inspektoratet e tjerë. “Task Forca ka vendosur që të kemi një ligj horizontal për sistemin e inspektimit në Republikën e Shqipërisë, që numri i inspektorateve të reduktohet, çdo ministri të ketë vetëm një inspektorat. Ka vendosur ngritjen e një institucioni, të paktë në numër por me një rol të madh, që do të jetë Inspektorati Qendror, i cili do të ketë funksion monitorues dhe vlerësues”,- tha Bozdo. Ai theksoi më tej se, projektligji është i rëndësishëm sepse shënon një hap të madh cilësor në sistemin rregullator në vendin tonë dhe merr përsipër të adaptojë praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian në këtë drejtim.
Afati i bonove të privatizimit, debate në Komisionin e Ekonomisë
Kuvendi vendosi të shtyjë edhe për një vit afatin e përdorimit të bonove të privatizimit. Shkak për zgjatjen në kohë të përdorimit të tyre për të tretën herë që pas hedhjes në treg në vitin 1998 është bërë mospërfundimi ende i procesit të legalizimeve. Vendimi për shtyrjen e këtij afati deri më 31 dhjetor të 2011-ës u morr me shumicë votash në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku opozita sërish bojkotoi votimin. Për specialistët e Ministrisë së Financave, shtyrja e këtij afati është e mjaftueshme deri në përfundimin e procesit të legalizimeve. Ndonëse nuk morën pjesë në votim, socialistët nëpërmjet deputetit Arben Malaj kërkuan shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove nga ana e qeverisë deri në vitin 2015. “Të zgjatet afati deri në vitin 2015. Qeveria të bëjë një pasqyrë që ka emetuar bonot dhe të lëmë një afat më të gjatë”,- tha deputeti i PS-së, Arben Malaj. Vitin e kaluar u vendos që bonot e privatizimit dhe letrat me vlerë të përfshiheshin në procesin e legalizimeve në rreth 80 për qind të çmimit të legalizimit, sipas modaliteteve të përcaktuara në ligj. Vendim ky, që është bërë shkak që ekzekutivi të rishikojë draftin që i jep edhe 365 ditë të tjera kalendarike afat për mosdaljen e tyre nga qarkullimi.
14 Dhjetor 2010