E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi me Mrkic Panariti Mbeshtesim dialogun Serbi-Kosove

Për herë të parë ka shkelur tokën shiptare një ministër i Jashtëm i Republikës së Serbisë. Mëngjesin e së martës, Mrkiç u prit në një takim kokë më kokë nga ministri i Jashtëm shqiptar Edmond Panariti, ku u fol mbi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe çështje që lidhen ngushtë me perspektivën rajonale. 
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij të Serbisë ka rikonfirmuar gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar në të gjithë drejtimet përmes hapave konkrete dhe në frymën e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal. Kështu, pas takimit të zhvilluar mes dy delegacioneve, Ministrat e Jashtëm kanë bërë me dije lidhur me temat e diskutuara në këtë bisedë.  “Shqipëria mbështet integrimin e plotë dhe të barabartë të shqiptarëve të kësaj zone në institucionet e Serbisë dhe presim që shteti serb të plotësojë këtë kërkesë. Theksova se politika e jashtë është e orientuar drejt forcimit të marrëdhënieve rajonale e më gjerë, drejt integrimit europian. Shqipëria është dhe mbetet një faktor serioz për stabilitetin e rajonit dhe është e vendosur të shohë drejt së ardhmes. Pas anëtarësimit në NATO, integrimi në BE mbetet projekti ynë më madhor. Strategjia e integrimit duhet të përqafohet nga dy vendet për stabilitetin dhe integrimin e rajonit”, vlerësoi ministri Panariti.  Ndërkohë që gjatë fjalës së tij, shefi i diplomacisë shqiptare u ndal dhe në takimin mes Thaçi e Daçiç, duke u shprehur se Shqipëria do të mirëpriste njohjen e Kosovës nga Serbia. Panariti kërkoi nga qeveria e Beogradit të të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, por nga ana tjeter theksoi se Republika e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi ato ndërmerren nga përfaqësues të dy vendeve sovrane. “Një element shumë i rëndësishëm është marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës. I përcolla vlerësimin tonë mes kryeministrave Thaçi-Daçiç në Bruksel, që rindez dialogun, për të hapur një prespektivë të re integrimi. Takimi ishte një tregues i një vullneti të mirë të për bashkëpunuar. Ne do të mirëprisnim njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kjo do ishte edhe një tregues i qartë dhe vullnet i shkëputjes nga e kaluara e dhunës, represionit dhe gjenocidit nga regjimi i Millosheviçit dhe do shërbente që dy vendet të projektoheshin drejt së ardhmes evropiane”, deklaroi Panariti.  Ministrat e Jashtëm të dy vendeve, kanë përcjellë mesazhe të ndryshme mbi genocidin që shteti serb i drejtuar nga Sllobodan Millosheviç kreu ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës gjatë viteve ’90, që kulmoi me ndërhyrjen udhtarake të forcave të NATO-s pranverën e vitit 1999.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›